AKTUALE

“Ka ligj, ka obligim” – Bexheti reagon ashpër për gjuhën shqipe në institucione

Banner

Deputeti i Bdi-së, Blerim Bexheti ka deklaruar se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të njëtrajtshme nga të gjitha institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, ligji i miratuar në vitin 2019 e zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe dhe krijon obligime të qarta për institucionet publike në komunikim, procedura administrative dhe procese zyrtare.

Bexheti thekson se nuk duhet të ketë nevojë për zgjidhje alternative apo interpretime të pjesshme për çështje që tashmë janë të rregulluara me ligj, përfshirë edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedura dhe provime profesionale.

Ai vlerëson se zbatimi i plotë i ligjit është i domosdoshëm për të garantuar barazi gjuhësore dhe funksionim korrekt institucional, duke shmangur praktika që mund ta kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe në administratë.

Bexheti ka theksuar se institucionet duhet të përmbushin obligimet ligjore pa vonesa dhe pa qasje të pjesshme, duke respektuar të drejtat që dalin nga legjislacioni në fuqi.

Ja posimi i plotë:

VLEN nuk e zbaton Ligjin e Gjuhëve, por kërkon rrugë anësore për ta relativizuar shqipen zyrtare dhe pret që ai të abrogohet nga Gjykata kushtetuese!

VLEN përsëri po tenton ta fshehë paaftësinë e vet pas akuzave boshe. E vërteta është e thjeshtë: Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i sjellë nga BDI në vitin 2019, e zyrtarizon gjuhën shqipe dhe i obligon institucionet që ta përdorin dhe implementojnë atë në procedura, procese dhe komunikim institucional.
Pra, provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ka nevojë për zgjidhje “inovative”, as për improvizime individuale juridike, e aq më pak për vonesa politike. Ka ligj. Ka obligim. Ka përgjegjësi institucionale.

Problemi është se VLEN jo vetëm që nuk di të bëjë asgjë, por as nuk është në gjendje ta zbatojë ligjin ekzistues. Në vend që të kërkojë zbatimin e plotë të shqipes zyrtare në institucionet ku vetë ka përgjegjësi, VLEN mundohet të gjejë rrugë të pjesshme, të ngushta dhe të përkohshme për një çështje që tashmë është e rregulluar me ligj.
Kjo qasje nuk është zgjidhje. Është rrezik. Sepse e parcializon të drejtën e shqiptarëve dhe e kthen përdorimin e gjuhës shqipe në lutje, kërkesë apo favor për çdo procedurë veç e veç.
Pikërisht këtë e dëshiron padroni politik i VLEN-it: që shqiptarët të mos e gëzojnë gjuhën shqipe si të drejtë zyrtare, por të detyrohen ta kërkojnë atë çdo herë, në çdo institucion, për çdo provim, dokument apo proces administrativ.

BDI e solli Ligjin e Gjuhëve. VLEN e ka për obligim ta zbatojë. Por ata nuk kanë as dije, as guxim, as pavarësi politike për ta bërë këtë.
Prandaj, para se VLEN të shpifë dhe të bëjë teatër politik me studentët shqiptarë, le të përgjigjet: pse nuk e zbaton ligjin që garanton përdorimin e gjuhës shqipe? Pse kërkon zgjidhje anësore aty ku ekziston obligim ligjor? Dhe pse pranon që shqiptarët të luten për një të drejtë që tashmë u takon?
Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për improvizime të VLEN-it. Ata kanë nevojë për zbatim të ligjit, respekt institucional dhe barazi të plotë gjuhësore.
Koha e mashtrimeve ka përfunduar. Koha e nënshtrimit politik të VLEN-it është e arsyeja kryesore për këtë që ndodh!

LIGJI I GJUHËS ËSHTË I QARTË !

Related posts

Lëvizja Vetëvendosje uron Ali Ahmetin për titullin Qytetar Nderi i Prizrenit

Gjyla Halili

Ali Ahmeti porosi Mickoskit e Gordanës: Mos gërvishtni plagë të vjetra, Fronti Europian është e ardhmja jonë

Gjyla Halili

FFM mban Kuvendin e Rregullt, Sejdini: Federata funksionon mirë, por ka edhe gjëra që duhet ti përmirësojmë

Gjyla Halili