AKTUALE

“Jehona e Malësisë” reagon ndaj arrestimit të Dodë Ivanajt: Akt politik kundër shqiptarëve, kërkohet lirimi i menjëhershëm

Shoqata “Jehona e Malësisë” ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të Dodë Ivanajt, anëtar i Bordit të saj, duke e cilësuar veprimin si një akt presioni politik dhe shënjestrim të drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve të Malësisë dhe mërgatës shqiptare.

Në reagimin publik, shoqata deklaron se Ivanaj më 21 maj ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo në Mal të Zi, ndërsa më 22 maj kishte marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të organizatës. Sipas saj, këto fakte e bëjnë arrestimin jo vetëm të pajustifikueshëm, por edhe seriozisht të dyshimtë nga pikëpamja politike.

“Jehona e Malësisë” ngre pyetje të drejtpërdrejta ndaj institucioneve shtetërore, duke kërkuar të dihet se kush e ka ndërtuar akuzën, kush e ka urdhëruar veprimin dhe pse procedimi është ndërmarrë pikërisht në këtë moment.

Shoqata akuzon autoritetet e Malit të Zi për përdorim selektiv të ligjit dhe standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, duke theksuar se shteti shpesh hesht përballë thirrjeve dhe fyerjeve antishqiptare në hapësira publike, ndërsa vepron me shpejtësi ndaj shqiptarëve që mbrojnë identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare.

Në deklaratë përmendet edhe Monumenti i Shtatë Heronjve të Kojës, për të cilin thuhet se përfaqëson sakrificën e bijve të Malësisë për lirinë kombëtare shqiptare dhe se kujtimi i tyre nuk duhet të përdoret për qëllime politike apo provokuese.

Duke e krahasuar rastin me ngjarjet e vitit 2006 dhe operacionin “Fluturimi i Shqiponjës”, shoqata paralajmëron se shqiptarët e Malësisë nuk do të pranojnë përsëritjen e padrejtësive që, sipas saj, kanë shënjuar të kaluarën.

“Jehona e Malësisë” kërkon lirimin e menjëhershëm të Dodë Ivanajt, ndërprerjen e çdo procedure që e konsideron të padrejtë dhe zhvillimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të pavarur për mënyrën se si është realizuar arrestimi dhe mbi bazën e cilave prova është ngritur akuza.

Shoqata thekson se rasti nuk do të mbetet vetëm në nivel lokal, duke paralajmëruar se do ta adresojë çështjen pranë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Ja postimi plotë:

REAGIM PUBLIK I SHOQATËS “JEHONA E MALËSISË”

Shoqata “Jehona e Malësisë” dënon me forcën më të madhe arrestimin, ndalimin dhe procedimin e padrejtë të Dodë Ivanajt, anëtar i Bordit tonë dhe pjesëtar i nderuar i komunitetit të Malësisë.

Ky arrestim nuk është një veprim i zakonshëm ligjor. Ky është akt presioni politik, shënjestrim i hapur ndaj shqiptarëve të Malësisë dhe përpjekje për të trembur mërgatën shqiptare që të mos flasë, të mos reagojë dhe të mos mbrojë identitetin e vet kombëtar.

Ne e themi qartë dhe pa asnjë mëdyshje: Dodë Ivanaj më 21 maj ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nuk ishte në Mal të Zi. Këtë e konfirmojmë ne si komunitet, sepse anëtarët tanë e kanë parë dhe kanë qenë në kontakt me të gjatë atyre ditëve, përfshirë edhe datën për të cilën sot po ngrihen dyshime ndaj tij.

Më 22 maj, Dodë Ivanaj ishte i pranishëm në mbledhjen e Bordit të Shoqatës “Jehona e Malësisë”. Ky është fakt i njohur për organizatën tonë dhe i verifikueshëm. Prandaj arrestimi i tij mbi këtë bazë është jo vetëm i padrejtë, por edhe politikisht i dyshimtë.

Nëse një njeri nuk ka qenë fare në Mal të Zi në atë periudhë, atëherë pyetja është e thjeshtë: kush e ndërtoi këtë akuzë? Kush e urdhëroi këtë veprim? Dhe pse pikërisht tani?

Ne e mbajmë përgjegjëse Ministrinë e Punëve të Brendshme, drejtuesit e Policisë së Malit të Zi dhe të gjithë ata që kanë urdhëruar, lejuar apo mbështetur këtë veprim të papranueshëm. Institucionet shtetërore nuk mund të përdoren si mjet për të ushtruar presion ndaj shqiptarëve, për të censuruar fjalën e lirë, apo për ta larguar mërgatën shqiptare nga vendlindja.

Është turp institucional që shteti hesht kur në stadiume, tubime dhe hapësira publike dëgjohen këngë, thirrje dhe fyerje kundër shqiptarëve, majde edhe thirrje qe shqipetaret te vriten, ndërsa me shpejtësi përdor polici, pranga dhe prokurori kundër një shqiptari që beson se heronjtë kombëtarë shqiptarë nuk duhet të mbulohen me flamurin e Malit të Zi, por të nderohen me flamurin për të cilin luftuan: flamurin shqiptar.

Monumenti i Shtatë Heronjve të Kojës nuk është vend pa histori. Aty nderohen bijtë e Malësisë që dhanë jetën për lirinë kombëtare shqiptare, për dinjitetin e popullit tonë dhe për flamurin shqiptar. Ata nuk luftuan që sot sakrifica e tyre të përdoret për lojëra politike apo për provokime ndaj ndjenjës kombëtare shqiptare.

Ne i kemi parë këto metoda edhe më parë. I pamë në vitin 2006 me operacionin famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës”. I pamë përpjekjet për ta poshtëruar, goditur dhe heshtur shqiptarin në Malësi. I pamë sulmet, presionet, arrestimet dhe tentimet për ta bërë komunitetin tonë të ulë kokën.

Por shqiptarët e Malësisë nuk u thyen atëherë dhe nuk do të thyhen as sot.

Në një kohë kur po flitet për hetimin parlamentar të padrejtësive të vitit 2006, është e papranueshme që të njëjtat metoda të vjetra të kthehen përsëri me emra të rinj. Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi për të kaluarën, ndërsa në të njëjtën kohë prodhon padrejtësi të reja ndaj shqiptarëve.

Dodën, djalin e Kojës, nuk e kemi merak. Qëndresën e ka traditë dhe qëndron si burrat. Malësia sot është më e fortë se kurrë, më e vetëdijshme se kurrë dhe më e bashkuar se kurrë kur preket dinjiteti i saj. Një shtet i gjysmë-dështuar nuk e tremb as Dodën, as Kojën, as Malësinë dhe as mërgatën shqiptare.

“Jehona e Malësisë” kërkon lirimin e menjëhershëm të Dodë Ivanajt dhe ndërprerjen e çdo procedure të padrejtë ndaj tij. Kërkojmë hetim të plotë, transparent dhe të pavarur për mënyrën se si është bërë ky arrestim, kush e ka urdhëruar dhe mbi çfarë baze është ndërtuar kjo akuzë.

Zëri ynë do të jetë i fortë. Ky rast nuk do të mbetet vetëm në rrjetet sociale dhe nuk do të mbyllet brenda kufijve të Malit të Zi. Ne do ta ngremë këtë çështje në çdo adresë ku respektohen të drejtat e njeriut, liria e shprehjes, drejtësia dhe mbrojtja e komuniteteve shqiptare. Miqtë tanë dhe institucionet që e njohin mirë historinë e shqiptarëve në Mal të Zi do të informohen qartë, me fakte dhe pa vonesë.

Ky arrestim është një përpjekje për t’u dërguar shqiptarëve dhe mërgatës një mesazh: mos flisni, mos reagoni, mos u ktheni, mos mbroni identitetin tuaj.

Përgjigjja jonë është e prerë: nuk heshtim.

Ne nuk do të rrimë duarkryq. Nuk do të lejojmë që një anëtar i Bordit tonë dhe një pjesëtar i komunitetit tonë të përdoret si shembull në përpjekje për të trembur të tjerët. Nuk do të lejojmë që padrejtësitë e vitit 2006 të përsëriten me forma të reja.

Dodë Ivanaj nuk është vetëm.
Koja nuk është vetëm.
Malësia nuk është vetëm.
Mërgata nuk është larg kur preket dinjiteti i vendlindjes.

Shoqata “Jehona e Malësisë”
Kryetar Zef Berishaj

Banner

Related posts

Kovaçevski shpreson se në duelin televiziv do të dëgjojë qëndrimet e Mickoskit për çështjet kyçe për shtetin

Gjyla Halili

Arrestohet drejtori i Spitalit Geriatrik në Shkup, mori ryshfet prej 20,000 eurosh

Gjyla Halili

PLAS BRENDA ALTERNATIVËS!

Gjyla Halili