AKTUALE

“Hyzmeqarët e Botës Serbe”, murale në Tetovë një ditë para protestës

Tetova është zgjuar këtë të premte me një sërë mbishkrimesh dhe muralesh politike në disa lokacione të qytetit, vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar nga dega e BDI-së në Tetovë. Në muret e qytetit janë shfaqur mbishkrime si “Hajdutët e Vakëfit”, “Josip Broz Kasami” dhe “Hyzmeqarët e Serbisë”, të cilat vijnë në prag të marshit protestues që opozita shqiptare e ka paralajmëruar si fillimin e asaj që e quan “rezistencë qytetare” për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Në ndërkohë, sot, BDI përmes një konference për shtyp ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës në Tetovë, duke e cilësuar atë si një manifestim paqësor dhe dinjitoz për mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë juridike dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas komunikatës së BDI-së, shkak i drejtpërdrejtë për mobilizimin është vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve në Tetovë, por partia vlerëson se pakënaqësia qytetare shkon përtej këtij rasti. Ajo pretendon se prej kohësh po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke krijuar pasiguri juridike dhe politike.

Në komunikatë rikujtohet se Këshilli i Komunës së Tetovës kishte miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve në përputhje me ligjin dhe me shumicën e dyfishtë, ndërsa Qeveria, sipas BDI-së, nuk kishte reaguar brenda afatit ligjor, gjë që, sipas interpretimit të partisë, nënkuptonte miratimin automatik të aktit. BDI thekson se vendimi ka qenë pjesë e rendit juridik për rreth 20 vjet dhe se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent që ngre shqetësime edhe për çështje të tjera të ndjeshme, përfshirë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Partia opozitare u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës në mënyrë paqësore, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të parimeve mbi të cilat, sipas saj, është ndërtuar shteti. (koha.mk)

Banner

Related posts

LSDM: Një grant prej 80 milionë eurosh ka ardhur nga BE, si mbështetje për zbutjen e krizës

admin

Ministri Lloga gëzon sportistët: Kuvendi e miratoi Ligjin për sport

Gjyla Halili

Mariçiq: Negociatat me BE-në na dërgojnë në një administratë reformuese dhe sistem gjyqësor stabil

Gjyla Halili