Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, nënkryetari i Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan, z. Gjon Gjolaj, së bashku me kryetarin e kësaj shoqate, z. Toni Gojçaj, morën pjesë në darkën festive të organizuar nga Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në New York.
Kjo veprimtari festive mblodhi bashkatdhetarë të shumtë, duke dëshmuar edhe një herë lidhjet e forta të komunitetit shqiptar në diasporë dhe përkushtimin për ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave kombëtare.
Në këtë mbrëmje, z. Gjon Gjolaj dhe z. Toni Gojçaj patën kënaqësinë të takonin edhe kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, si dhe të bashkëbisedonin me bashkatdhetarë e miq të shumtë.
Me këtë rast, z. Gjolaj shprehu mirënjohjen e tij për kryetarin e Shoqatës Atdhetare “Malësia e Madhe” në New York, z. Senad Lulanaj, për ftesën, respektin dhe mikpritjen e ngrohtë, si dhe për Bordin Drejtues dhe të gjithë organizatorët që kontribuuan në organizimin e kësaj mbrëmjeje festive.
Ai theksoi rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat forcojnë bashkëpunimin ndërmjet shoqatave shqiptare në diasporë dhe ruajnë lidhjet shpirtërore me vendlindjen.
Pjesëmarrja në këtë festë ishte një dëshmi e miqësisë, respektit dhe bashkimit të shqiptarëve, duke përcjellë mesazhin se dashuria për Malësinë dhe kombin shqiptar nuk njeh kufij e as largësi.
Ja postimi plotë:
Së bashku me Kryetarin e Shoqatës Atdhetare Malësia e Madhe në Michigan, z. Toni Gojçaj, patëm nderin dhe kënaqësinë të marrim pjesë në darkën festive me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, të organizuar nga Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe në New York.
Ishte kënaqësi e veçantë të ishim në mesin e bashkatdhetarëve tanë dhe të takonim edhe Kryetarin e Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj.
Një falënderim i përzemërt për mikun tonë të nderuar, Kryetarin e Shoqatës Malësia e Madhe në New York, z. Senad Lulanaj, për ftesën, respektin dhe mikpritjen e ngrohtë, si dhe për Bordin Drejtues dhe të gjithë organizatorët e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme.
Takime të tilla na kujtojnë se, pavarësisht largësisë, dashuria për vendlindjen dhe bashkimi mes shqiptarëve mbeten gjithmonë të forta.
🇦🇱 Gëzuar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve, kudo që janë!
Zoti e bekoftë Malësinë dhe mbarë kombin shqiptar! 🇦🇱🇺🇸
