Shkruan Prof.Dr. Ferat Polisi
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në të cilin rregullohet dhe garantohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe (në veçanti sipas dispozitave themelore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Neni 1, Neni 2, Neni 4 dhe Neni 5), përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishme juridike për realizimin e parimit të barazisë, të mosdiskriminimit dhe të përfshirjes së qytetarëve në jetën publike. Ky ligj nuk duhet të kuptohet si privilegj politik i një komuniteti ndaj një tjetri, por si shprehje e rendit kushtetues dhe e detyrimit të shtetit për të garantuar të drejtat gjuhësore të qytetarëve.
Kur flasim për pozitën juridike – politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, jo rrallë herë ndikohemi nga idetë e filozofit të njohur Alexis de Tocqueville mbi mënyrën se si mund të ruhet liria dhe demokracia dhe te drejtat e fituara te nji komuniteti ne teresi e te mos flasim me per nje komb shtete formuas siç jane shqiptaret ne Republiken e Maqedonise te Veriut. Sipas tij, dy elemente shumë të rëndësishme janë: 1. Liria politike – pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike, në zgjedhje, në shoqata dhe në qeverisjen lokale. Tocqueville mendonte se kjo forcon ndjenjën e përgjegjësisë qytetare dhe patriotizmin dhe 2. Administrata lokale (vetëqeverisja lokale) – ai besonte se komunat dhe institucionet lokale duhet të veprojne reciprocikisht ne raste se u cenohet liria e gjuhes. Kur qytetarët merren vetë me çështjet e komunitetit të tyre, ata mësojnë të mbrojnë lirinë dhe të mos varen plotësisht nga një pushtet qendror i fortë.
Të dashur miq,
Nga aspekti juridik, ligji ka karakter normativ dhe detyrues. Ai nuk ekziston për t’u interpretuar sipas interesave politike të momentit, por për t’u zbatuar në mënyrë të plotë dhe konsekuente. Parimi themelor i shtetit të së drejtës kërkon që ligji, pasi miratohet në përputhje me procedurat kushtetuese, të gjejë zbatim të njëjtë për të gjithë dhe në të gjitha institucionet. Çdo shmangie nga ky parim krijon pasiguri juridike dhe dobëson besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Në planin filozofik, ligji nuk është thjesht një tekst normativ. Ai përfaqëson një marrëveshje shoqërore mbi vlerat themelore të bashkëjetesës. Respektimi i gjuhës së tjetrit është respektim i dinjitetit të tij njerëzor, i identitetit kulturor dhe i subjektivitetit politik. Prandaj, zbatimi i ligjit për gjuhët nuk është vetëm çështje administrative, por edhe çështje etike që lidhet me drejtësinë dhe njohjen reciproke të qytetarëve brenda një shteti demokratik.
Një nga rreziqet më të mëdha për funksionimin e këtij ligji është trajtimi i tij si objekt kompromisi politik. Ligji nuk mund të jetë subjekt i negociatave të vazhdueshme pas hyrjes së tij në fuqi, sepse kompromisi i tepërt në zbatim shndërrohet në mjet praktik të kufizimit të të drejtave. Kur një ligj zbatohet vetëm pjesërisht, krijohet precedent që edhe dispozitat e tjera të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Në këtë rast humbet substanca juridike e normës dhe gradualisht reduktohet përmbajtja reale e saj.
Besojmë se kolegët e mi të fushës shkencore – akademike që merren me trajtimin e ligjit, demokracisë, lirive dhe të drejtave kolektive, etj., pajtohen me qëndrimin se nëse pranohen kompromise të vazhdueshme në zbatimin e Ligjit për Gjuhët, atëherë rrezikohet që një pjesë e konsiderueshme e të drejtave të garantuara të mbeten vetëm në letër. Një proces i tillë mund të çojë në dobësimin e efektivitetit të ligjit dhe, në mënyrë graduale, në erozionin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar ai. Ligj pas ligji, një qasje e tillë mund të prodhojë relativizim të normave juridike dhe të cenojë frymën e marrëveshjeve themelore që kanë garantuar stabilitetin dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë ka fryma e Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila vendosi bazat për avancimin e të drejtave kolektive, përfaqësimin e drejtë dhe përdorimin e gjuhëve në institucionet shtetërore. Çdo dobësim i zbatimit të ligjeve që burojnë nga kjo marrëveshje nuk paraqet vetëm problem teknik apo administrativ, por prek vetë filozofinë e konsensusit kushtetues mbi të cilin është ndërtuar paqja dhe kohezioni shoqëror.
Përfundimisht, Ligji për Gjuhët duhet të shihet si normë juridike që kërkon zbatim të plotë dhe jo si instrument i debatit të përhershëm politik. Respektimi i tij nuk është çështje vullneti politik, por detyrim juridik. Vetëm përmes zbatimit konsekuent të ligjit mund të ruhet autoriteti i rendit juridik, të garantohet barazia e qytetarëve dhe të mbrohet fryma e marrëveshjeve historike që kanë ndërtuar themelet e shtetit multietnik dhe demokratik.
