AKTUALE

Drejtuesit e Universitetit të Tetovës e vizituan konakun ku u nënshkrua akti i themelimit i kësaj qendre të arsimit dhe shkencës

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati dhe bashkëpunëtorët e tyre e vizituan shtëpinë e Haxhi Bari Ganiut, vendin ku më 17 dhjetor 1994 u nënshkrua akti historik i themelimit të Universitetit të Tetovës. Kjo vizitë simbolizon një kthim në rrënjët e institucionit dhe një përkujtim të rëndësisë së këtij momenti për arsimin dhe kulturën shqiptare në rajon.

Gjatë vizitës, Rektori Jusuf Zejneli theksoi rëndësinë e kujtimit dhe ndërgjegjësimit për vlerat historike që e kanë formuar Universitetin e Tetovës si një institucion kyç në zhvillimin e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. “Shtëpia e Haxhi Bari Ganiut është një simbol i guximit dhe këmbënguljes së komunitetit tonë për të krijuar një institucion arsimor që të gjithë ne jemi krenarë që e quajmë shtëpinë tonë intelektuale”- theksoi Rektori i UT-së.

Ndërsa Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, vuri në dukje rolin e Senatit në ruajtjen e traditave dhe vlerave të universitetit. “Kjo vizitë na kujton për përgjegjësinë tonë për të ruajtur dhe përparuar trashëgiminë e universitetit tonë, duke u bazuar në parimet e lirisë, dinjitetit dhe zhvillimit shkencor”-u shpreh, Prof. Dr. Kenan Ferati.

I biri i Haxhi Bari Ganiut, Nuhi Ganiu i falënderoi drejtuesit e Universitetit të Tetovës për vizitën dhe respektin që i bënë familjes së tij e më pas evokoi kujtime nga babai i tij, duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin që ka pasur në periudhën e themelimit të Universitetit të Tetovës. Po ashtu ai tha se porosia e tij e fundit ka qenë që konaku ku është nënshkruar akti i themelimit të mos ndryshohet dhe të ruhet brez pas brezi nga trashëgimtarët e tij.
Universiteti i Tetovës, i themeluar në kushte të vështira dhe me sakrifica të mëdha, vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare në rajon. Vizita e Rektorit dhe Kryetarit të Senatit në këtë vend historik është një përkujtim i vlerave dhe synimeve që kanë udhëhequr Universitetin gjatë viteve. Në përmbyllje të kësaj vizite në shenjë mirënjohjeje Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli, z. Nuhi Ganiu i dhuroi kompletin e librave të themeluesit dhe Rektorit të parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani.

Banner

Related posts

Salim Sulejmani, bartës i VLEN në NJZ5?

Gjyla Halili

Këto janë vendet më të bukura në Kosovë, ia vlen t’i vizitoni

admin

Bashkëkombasit nga Detroiti me zemër të madhe si “Nënë Tereza”, mbledhin gati 400 mijë dollar për Kishën në Malin e Kakariqit

Gjyla Halili