AKTUALE

BDI: Pse gjysmëkryetarët e VLEN-it ende heshtin pas pranimit të udhëheqësit të tyre, Bekim Qoku, se janë “tmerrësisht të dobët”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me kritika të ashpra ndaj drejtuesve të koalicionit VLEN, duke kërkuar përgjigje pas deklaratës së udhëheqësit të VLEN-it, Bekim Qoku, se në Qeveri janë “tmerrësisht të dobët”.

Në një komunikatë për media, BDI vlerëson se kjo deklaratë përbën një pranim publik të dështimit politik dhe ngre pyetjen pse përfaqësuesit e VLEN-it vazhdojnë të jenë pjesë e ekzekutivit nëse, sipas tyre, nuk kanë fuqi të ndikojnë në vendimmarrje.

“Ky është pranim publik i dështimit politik. E ardhmja e shqiptarëve, përfaqësimi i tyre në shtet dhe mbrojtja e interesit kombëtar nuk mund të mbeten peng i dobësisë suaj”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI pyet publikisht drejtuesit e VLEN-it pse, sipas saj, heshtin për çështje që lidhen me gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione dhe emërimet në pozitat drejtuese.

BDI thekson se pjesëmarrja në Qeveri duhet të shërbejë për të ushtruar ndikim dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke shtuar se nëse VLEN nuk është në gjendje ta bëjë këtë, atëherë duhet të largohet nga pushteti.

Në fund të reagimit, BDI u drejton disa pyetje drejtuesve të VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke kërkuar të sqarojnë nëse kanë “ndonjë vijë të kuqe” që do t’i detyronte të largoheshin nga Qeveria, apo nëse, sipas BDI-së, “posti është e vetmja vijë e kuqe që nuk guxojnë ta kalojnë”.

BDI përfundon duke pyetur se “sa gjatë do ta mbajnë të ardhmen e shqiptarëve peng të dobësisë së tyre” dhe kur do të largohen nga Qeveria.

Banner

Related posts

Reagimi i ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga për shkrimet në disa media

Gjyla Halili

Shoqata e të Burgosurve Politik vendos kurora lulesh në inaugurimin e shtatores së heroit Afrim Zhitia

Gjyla Halili

Ansambli Muzikor në Republikën e Maqedonisë së Veriut-Tetovë, fiton hapësira pune për përdorim të përhershëm

Gjyla Halili