Nga 10 deri më 27 qershor, anketuesit e agjencisë Market Vision, me porosi të MKD.mk, zhvilluan një hulumtim të opinionit publik në Maqedoninë e Veriut, i cili tregoi se partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe lideri i saj vazhdojnë të jenë bindshëm në epërsi sa i përket besimit të votuesve. Sipas këtij sondazhi, liderët e partisë së re politike VLEN gëzojnë më shumë besim krahasuar me liderin e partisë opozitare BDI.
Në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, përgjigjet e të anketuarve tregojnë se 20,5% do të votonin për VMRO-DPMNE, 6,2% për LSDM, 5% për BDI, 4,4% për VLEN, 2,9% për Levica dhe 1,5% për ZNAM.
Nëse veçohen rezultatet e partive vetëm te të anketuarit e përcaktuar (497 nga gjithsej 1.200), raporti i epërsisë së VMRO-DPMNE-së ndaj LSDM-së mbetet pothuajse i njëjtë. Ndërkohë, mbështetja për VLEN-in po i afrohet me shpejtësi popullaritetit që gëzon BDI-ja te votuesit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Edhe te liderët e partive politike, ashtu si në vitet e fundit, Hristijan Mickoski vazhdon të ketë një epërsi bindëse ndaj liderëve të tjerë. Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si kryetarë të VLEN-it, gëzojnë një mbështetje më të madhe se Ali Ahmeti, lideri i BDI-së.
Edhe ky anketim tregoi se pagat, pensionet, papunësia dhe rritja e çmimeve mbeten problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Në vendin e dytë renditen sërish krimi dhe korrupsioni.
Ja si janë përgjigjur të anketuarit lidhur me nivelin e kënaqësisë së tyre ndaj punës së Prokurorit të ri Publik dhe të Prokurorisë Publike.
Mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet Maqedonia e Veriut.
Se qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten fuqishëm të përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian, e tregon edhe përgjigjja pozitive në pyetjen për një anëtarësim të mundshëm të vendit në Bashkimin Evropian, duke pranuar edhe modelin për të cilin tashmë po diskutohet – anëtarësim pa të drejtë vetoje. Madje, 80,3% e të anketuarve do ta pranonin edhe një formë të tillë anëtarësimi.
Hulumtimi u realizua në periudhën 10–27 qershor mbi një mostër prej 1.200 të anketuarish, përfaqësuese sipas gjinisë, moshës, përkatësisë etnike, rajonit dhe llojit të vendbanimit, në përputhje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë rezidente të vitit 2021.
Anketa u zhvillua me metodën CATI (Computer Assisted Telephone Interview), pra përmes intervistave telefonike, me një madhësi kampioni që siguron 95% interval besueshmërie dhe margjinë gabimi 3%.
