Tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Ali Ahmeti ka përkujtuar me nderim nobelistin shqiptar me prejardhje nga Llakavica e Gostivarit, Ferid Muradin, një nga figurat më të shquara shqiptare në shkencën botërore.
Ahmeti ka vlerësuar kontributin e madh të Muradit në shkencë, duke theksuar se puna dhe arritjet e tij përbëjnë një burim të veçantë krenarie për shqiptarët.
Ferid Muradi ishte laureat i Çmimit Nobel në Fiziologji ose Mjekësi dhe një prej shkencëtarëve më të njohur shqiptarë në botë. Përmes punës së tij shkencore, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mjekësi dhe u bë frymëzim për brezat e rinj.
“Tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë me nderim Ferid Muradin, nobelistin shqiptar me prejardhje nga Llakavica e Gostivarit dhe një nga mendjet më të ndritura që kombi ynë i dha shkencës botërore”, është shprehur Ahmeti.
Ai ka theksuar se trashëgimia e Ferid Muradit mbetet e përhershme dhe se suksesi i tij dëshmon se dija, përkushtimi dhe puna mund të kapërcejnë çdo kufi.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për nobelistin shqiptar, Ferid Muradin!”, ka shkruar Ali Ahmeti.
