AKTUALE

RASTI I KUMANOVËS, SI E KTHEU YLBER LIMANI DYGJUHËSINË NË NORMË ZYRTARE

Kur një institucion shtetëror flet në gjuhën e qytetarëve të tij, ai rrit besueshmërinë e sistemit dhe garanton mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Prandaj, Ylber Limani duke aplikuar këto standarde moderne evropiane, dëshmoi se respektimi i diversitetit gjuhësor shërben si shenjë e pjekurisë së një shoqërie demokratike.
Në labirintet e institucioneve korrektuese, aty ku liria kufizohet me mure të larta, barazia shpesh ka mbetur e mbyllur jashtë dyerve të administratës zyrtare. Burgu i Kumanovës, një pasqyrë e vjetër e burokracisë monokulturore, së fundmi u përball me një kthesë të prerë dhe të domosdoshme institucionale. Vendosmëria e zëvendësdrejtorit të ri, Ylber Limani, për të ndaluar vendosjen e tabelave njëgjuhëshe, vetëm në gjuhën maqedonase, nuk përbën vetëm një akt të rëndomtë administrativ. Ky vendim përfaqëson një manifest të guximshëm të sundimit të ligjit në një ambient tradicionalisht rezistent ndaj ndryshimeve demokratike. Limani dëshmoi me anë të këtij akti se ligji nuk mund të mbetet një dekor i bukur në sirtarët e shtetit. Ai refuzoi heshtjen komode burokratike dhe zgjodhi aksionin e drejtpërdrejtë të bazuar në normën më të lartë juridike të vendit. Gjuha shqipe në këtë institucion nuk po kërkon strehë si lëvdatë politike apo si lëshim mëshire, por po zë vendin që i takon si detyrim i prerë kushtetues. Ky hap rrëzon një praktikë të gjatë të injorimit të qëllimshëm të normave, duke dëshmuar se fryma e barazisë nuk mund të negociohet për interesa konjukturale.
Ky akt i prerë gjen mbështetje të fuqishme jo vetëm në legjislacionin vendor, por edhe në dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartat Ndërkombëtare për Gjuhët Rajonale ose Pakicave e sanksionojnë qartë të drejtën e komunikimit të dinjitetshëm në gjuhën amtare. Kur një institucion shtetëror flet në gjuhën e qytetarëve të tij, ai rrit besueshmërinë e sistemit dhe garanton mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Prandaj, Ylber Limani duke aplikuar këto standarde moderne evropiane, dëshmoi se respektimi i diversitetit gjuhësor shërben si shenjë e pjekurisë së një shoqërie demokratike.
Ndryshimi i realitetit brenda Burgut të Kumanovës tregon se zbatimi i ligjeve në terren kërkon njerëz me integritet të lartë në krye të detyrës. Për herë të parë, gjuha shqipe po përdoret zyrtarisht në tabelat informuese dhe në dokumentacionin e brendshëm të këtij burgu, duke thyer përfundimisht monopolin e vjetër institucional. Ky është një leksion i hapur se si mbrohen të drejtat kolektive përmes përgjegjësisë dhe guximit individual. Ligji në këtë institucion në Kumanovë nuk është më vetëm një rresht i vdekur në letër, sepse tashmë ai po zbatohet me përpikmeri në çdo hapësirë publike.
Çdo reformë që prek themelet e një sistemi të vjetruar dhe të ngurtë shoqërohet natyrshëm me rezistencë të heshtur ose deklarative. Vendosja e dygjuhësisë në një institucion penal nuk mund të kualifikohet si çështje e estetikës së tabelave nëpër korridore apo zyra. Ky proces prek thelbësisht mënyrën se si administrata shtetërore e sheh qytetarin dhe personin që vuan dënimin. Në rastin konklret po dëshmohet se gjuha nuk mund të jetë vetëm një mjet i thjeshtë komunikimi, por ajo mbetet mjeti kryesor i realizimit të të drejtave ligjore dhe mbrojtjes juridike.
Duke refuzuar në mënyrë të prerë tabelat që injoronin realitetin demografik dhe kushtetues, Ylber Limani tregoi se barazia nuk është lëshimi i radhës apo kompromis i përkohshëm politik. Ajo mbetet një kusht ekzistencial për funksionimin e plotë të shtetit të së drejtës. Ky shembull konkret duhet të shërbejë si model i qartë edhe për institucionet e tjera shtetërore që ende fshihen pas pengesave teknike apo administrative për të zvarritur zbatimin e plotë të detyrimeve që rrjedhin nga normat ligjore.
Veprimi i Ylber Limanit tregon se zyrtarët shqiptarë nuk duhet të pozicionohen si vëzhgues pasivë në zyrat e tyre. Ata kanë për detyrë të jenë garantuesit e parë të Kushtetutës dhe të ligjit në çdo nivel të administratës. Kur thyhet heshtja përballë shkeljeve, krijohet një standard i ri i funksionimit institucional që detyron edhe strukturat e tjera të reflektojnë. Ky njoftim nga Kumanova nuk flet vetëm për disa tabela të ndryshuara, por tregon rrugën se si duhet të çrrënjoset mendësia e vjetër diskriminuese. Përmes këtij hapi, gjuha shqipe fiton dinjitetin e saj të plotë institucional, duke dëshmuar se asnjë hapësirë nuk mund të lihet jashtë rrezes së zbatimit të barazisë legjitime.
Një rast kaq dinjitoz si ky i Ylber Limanit dëshmon më së miri se jo gjithmonë partitë politike duhet të kacafyten mes veti dhe të bëjnë kompromise të pafundme për të siguruar të drejtat elementare. Ja që edhe një funksionar i vetëm, i guximshëm dhe me parime të qarta, mund të jetë shembulli më i mirë se si punët e mëdha kryhen pa zhurmë dhe pa protokolle boshe. Ky model i veprimit konkret tregon se ndryshimi nuk vjen nga deklaratat pompoze televizive, por nga vendosmëria e individit që refuzon të bëhet pjesë e amullisë institucionale. Prandaj, një zyrtar i këtij formati duhet mbështetur fuqishëm nga mbarë opinioni dhe, mbi të gjitha, duhet të avancohet në detyra akoma më të larta shtetërore. Përmes këtij akti administrativ por thellësisht dinjitoz, ai ka dëshmuar me fakte se është një gardian i vërtetë dhe i paluhatshëm i barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut./N.I

Banner

Related posts

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Gjyla Halili

Thaçi : Bujari më 24 Prill do të ua bëjë havanë fakafak

Gjyla Halili

Tërmet në Maqedoninë e Veriut, nuk ka dëme por shkaktoi panik te banorët

admin