Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar lidhur me mesazhin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, për rëndësinë e gjuhës shqipe si themel i identitetit kombëtar, duke kritikuar një pjesë të përfaqësuesve të VLEN-it.
Ademi iu referua deklaratës së Begajt gjatë takimit me të rinjtë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, ku presidenti shqiptar kishte theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Pa gjuhë shqipe nuk ka atdhe, nuk ka Shqipëri, nuk ka shqiptari!”, ka cituar Ademi mesazhin e presidentit Begaj.
Ai ngriti pikëpyetje për reagimet që, sipas tij, janë shfaqur nga disa përfaqësues të VLEN-it ndaj këtij mesazhi.
“Por, për çudi, ky mesazh duket se po i pengon disa përfaqësues të VLEN-it. Pse vallë? Çfarë i shqetëson në këtë mesazh? Pse u pengon kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe dhe zbatimin e plotë të ligjit që e rregullon atë?”, ka deklaruar Ademi.
Në reagimin e tij, sekretari i Përgjithshëm i BDI-së shtroi edhe çështjen e përgjegjësisë së përfaqësuesve politikë shqiptarë për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore.
“A nuk është kjo detyra e tyre e parë?”, përfundoi Ademi.
