AKTUALE

Kompozitori Edmond Zhulali: “Marshi i UÇK-së” lindi në ditët e luftës dhe pas vendimit në Hagë mbetet një nderim për luftëtarët e Kosovës

Nga Julia Vrapi

“Marshi i UÇK-së” është një nga këngët më të njohura që lidhet me luftën e Kosovës. E krijuar në një periudhë të vështirë për shqiptarët e Kosovës, kënga pati një ndikim të madh dhe u përhap shpejt në mesin e shqiptarëve. Pas muzikës së kompozitorit të njohur Edmond Zhulalit, vargjeve të poetit Agim Doçit dhe interpretimit të Arif Vladit qëndron një histori e veçantë krijimi.

Në intervistën dhënë për gazetaren Julia Vrapi, Edmond Zhulali rikthehet te historia e krijimit të “Marshit të UÇK-së”, duke ndarë emocionet që e shoqëruan atë periudhë dhe jehonën që pati kënga te shqiptarët. Ai kujton edhe koncertet “Kosovë djep lirie”, të zhvilluara në Shqipëri dhe në Europë, si dhe atë që kjo këngë përfaqëson për të, pas më shumë se dy dekadash.

Rrëfimi i kompozitorit vjen pas vendimit në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, të cilin Edmond Zhulali e cilëson si një vendim të padrejtë që prek rëndë ndjenjat dhe interesat e gjithë kombit shqiptar. Edmond Zhulali është vlerësuar me titujt “Veteran luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, si dhe “Medalja Presidenciale e Meritave” nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Marshi i UÇK-së” është një nga këngët që është lidhur fort me historinë e luftës së Kosovës. Si lindi kjo këngë?

“Marshi i UÇK-së” është një nga këngët më frymëzuese e përfaqësuese të luftës heroike të popullit të Kosovës në vitet 1998-‘99. Ajo u bë mjaft e dashur për të gjithë, e sidomos për ato djem e vajza që dolën në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, ekzistencës e të ardhmes së Kosovës. Ndikimi i saj ishte shumë i madh e motivoi ndjenjat më të larta të popullit të Kosovës, siç ishte dashuria për atdheun, e cila i çoi deri në sakrificën më të lartë e sublime të njeriut, siç është dhënia e jetës.

Kënga pati një përhapje shumë të shpejtë, duke u bërë pjesë e pandarë e jetës së përditshme të shqiptarëve e në veçanti e luftëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo këngë më ka dhuruar një sadisfaksion të papërshkrueshëm që në ditët e para të krijimit e deri në ditët e sotme, e cila na ka shoqëruar në momentet më të rëndësishme të popullit të Kosovës në këto vite, por pse jo edhe në Shqipëri.

-Ju si kompozitor, poeti Agim Doçi dhe këngëtari Arif Vladi u bëtë bashkë në këtë krijim. Si ishte bashkëpunimi mes jush?

Ishin ditët e vështira të represionit serb në Kosovë dhe ndikimi e përjetimi edhe tek ne në Shqipëri ishte i jashtëzakonshëm. Unë sapo kisha kompozuar këngën “Jam Kosova e Shqiptarisë”, me tekst të të paharruarit Gjokë Beci, e cila pati shumë jehonë dhe na dha shumë sadisfaksion.

E duke diskutuar me kolegun tim Agim Doçi e këngëtarin Arif Vladi, menduam së bashku të krijonim një këngë të re për UÇK-në e sapo krijuar. Ishte thjesht një dëshirë e jona, një këngë që lindi vetë në ato emocione të rralla që po kalonim, ku ndjenja atdhetare ishte më e fortë se kurrë. Agimi shkroi një tekst të mrekullueshëm, i cili më frymëzoi të kompozoja, orkestroja dhe realizoja në studio atë që ka ardhur deri në ditët e sotme, e interpretuar në mënyrë të përsëritshme nga këngëtari Arif Vladi.

-Agim Doçi ka ndërruar jetë në vitin 2024. Ju keni folur për një miqësi shumëvjeçare me të dhe keni thënë se ai kishte një lidhje të fortë shpirtërore me Kosovën. Çfarë kujtoni nga momentet kur po punonit bashkë për “Marshin e UÇK-së”?

Agim Doçi përveç se ishte një poet i rrallë, kishte dhe një shpirt të madh patriotik, me të cilin kam ndarë këngët më të suksesshme që kam kompozuar nga të gjitha zhanret, ku do të veçoj shumë këngë të muzikës së lehtë, ku kemi qenë së bashku në Eurovision me Anjeza Shahini dhe Kejsi Tola. Këngë të shumta kushtuar Shqipërisë e Kosovës, si kënga “Në një flamur të pandarë”, këngë për fëmijë e shumë e shumë të tjera. Kemi kaluar momente të rralla krijimtarie, duke pasur një lidhje të fortë shoqërore, profesionale e respekt të veçantë për njëri-tjetrin. E ndjej shumë mungesën e tij…

Çfarë donit të përcillnit përmes muzikës? Ishte thjesht një këngë patriotike apo synonit që të shërbente si një këngë frymëzuese për njerëzit që ndodheshin në luftë?

Në të gjitha këngët që kemi shkruar së bashku, por edhe me poetë të tjerë, këngët tona kanë qenë këngë me vlera të vërteta, që në mesazhin e tyre kanë pasur dashurinë për atdheun, kombin, historinë e vendit, por kurrë nuk kanë pasur ndjenjën e urrejtjes për asnjë komb tjetër. Në të gjitha këto këngë mbizotëronte dashuria për jetën, lirinë e vetitë më të mira njerëzore.

-Në vitet 1998-1999, kur kënga u bë e njohur, çfarë reagimesh morët nga shqiptarët e Kosovës dhe nga njerëzit që ndodheshin drejtpërdrejt në luftë?

Së bashku me Agimin, kur kishim krijuar një grup këngësh, menduam dhe realizuam një koncert në Teatrin e Operës, kushtuar Kosovës, i cili pati një jehonë shumë të madhe. Ky koncert më pas u shfaq për më se 80 herë në 16 shtete të Europës, duke qenë një koncert humanitar e duke mbledhur ndihma për luftën.

Koncerti titullohej “Kosovë djep lirie”, ku morën pjesë këta artistë: Agim Doçi, Edmond Zhulali, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Ledian Çelo, Mirush Kabashi, Çun Lajçi, Niman Mushkola, Shkurte Fejza, Leonora Jakupi, Osman Kelmendi dhe që u menaxhua nga Remzi Ejupi dhe shumë organizata në emigracion. Emocionet e koncertit ishin të mëdha, lotët ishin në çdo skenë. E “Marshi i UÇK-së”, në mbyllje të çdo koncerti, çonte peshë zemrat e të gjithë spektatorëve.

-Ju keni thënë në një intervistë se këngët për UÇK-në “nuk i ka porositur njeri”, por se i ka “porositur populli shqiptar”. Çfarë do të thotë kjo për ju sot, pas kaq shumë vitesh?

Ashtu është. Kënga lindi nga vetë lufta dhe vuajtjet e popullit martir. E atij ia kam dedikuar këtë këngë dhe i jam mirënjohës për emocionet e vlerësimin që më ka dhënë, duke më dhënë titullin “Veteran”, së bashku me Agimin, si dhe “Mirënjohje Presidenciale” nga Presidenti Thaçi, të cilin e vlerësoj jashtëzakonisht për kontributin e tij të shquar si luftëtar e politikan patriot.

Në ditën kur në Hagë u dha vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, “Marshi i UÇK-së” mori një kuptim tjetër emocional.

Natyrisht kjo këngë kushtuar luftëtarëve të UÇK-së i takon dhe këtyre personaliteteve e sot më shumë se kurrë, është një nderim për veprën e tyre.

-Çfarë ndjeni ju si kompozitor i kësaj kënge në një ditë të tillë?

Në radhë të parë, jam shumë i prekur për dënimin që iu dha. Ata meritojnë nderimet më të larta nga i gjithë kombi shqiptar për veprën e tyre në interes të popullit kosovar e çështjes shqiptare. Për mendimin tim, është një vendim i padrejtë që prek rëndë ndjenjat dhe interesat e gjithë kombit shqiptar. Lufta e UÇK-së dhe popullit shqiptar është një dëshmi e rrallë e një populli të vogël për liri, e një ndërgjegjësimi të lartë e dinjiteti njerëzor.

Sot më shumë se kurrë, i gjithë populli shqiptar duhet të dëshmojë, sidomos nëpërmjet liderëve politikë, mospajtimin me këtë gjykim të inskenuar, që fatkeqësisht na risjell në vëmendje padrejtësitë historike që i kanë ndodhur Shqipërisë në historinë e saj.

Represioni, dhuna, pushtimi nuk mund të barazvlerësohen me të drejtën për liri, me luftën për mbijetesë, për gjuhën shqipe, për kujtimin e gjithë atyre viktimave në qindra vjet. Ndoshta nuk dua të nxitohem në vlerësime, se ka edhe një fazë tjetër, siç është Gjykata e Apelit, por shpresoj që të mos ndihemi të tradhtuar, si në shumë raste të historisë, e të mos përsërisim gjithmonë fjalët e Fishtës.

-Në Kosovë ka pasur protesta dhe reagime të forta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Çfarë ju thotë kjo për mënyrën se si shqiptarët e Kosovës e përjetojnë ende sot luftën dhe figurën e UÇK-së?

Sot më shumë se kurrë duhet të protestojmë në mbrojtje të Kosovës, dinjitetit, sakrificës dhe në emër të lirisë.

-Çfarë do t’u thoshit shqiptarëve që janë të zhgënjyer ose të revoltuar nga vendimi në Hagë?

Lirinë, dinjitetin, atdheun duhet t’i mbrojmë me çdo çmim. Dhe në qoftë se mbetet ky vendim, Parlamenti i Kosovës duhet ta shfuqizojë këtë gjykatë e të mos njohë asnjë vendim të saj. /Sot/

Intervistoi: Julia Vrapi

Banner

Related posts

Taravari: Tani ka më shumë drejtorë shqiptarë në klinika se në Qeverinë e kaluar!

Gjyla Halili

Aktivistët e BESËS – Shipkovicë rreshtohen me Frontin Europian (FOTO)

Gjyla Halili

SUPER VENDORE – Golden Eagle, nga vendi ynë për forcën tënde!

Gjyla Halili