Institucionet monoetnike maqedonase në Maqedoninë e Veriut
Xhevat Hasani
Cyrih, më 23 gusht 2026
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, nën trysninë e partisë antishqiptare VMRO-DPMNE-së në pushtet, më 9 tetor të vitit 2024, në mënyrë arbitrare e ka shfuqizuar mekanizmin e balancimit të punësimit të pjesëtarëve të etnive të ndryshme, sipas përqindjeve që etnitë e ndryshme zënë në popullatën e përgjithshme të Maqedonisë së Veriut prej rreth 1.8 milion banorësh.
Duke pasur parasysh se, pas shfuqizimit në vitin 2024 të mekanizmit të balancimit për punësimin e pjesëtarëve të etnive të ndryshme, në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut janë punësuar pothuajse vetëm pjesëtarë të etnisë maqedonase, diku në masën 90%, edhe pse popullata maqedonase përbën rreth 60% të popullatës së vendit, ndërsa janë punësuar fare pak pjesëtarë të etnisë shqiptare, diku rreth 3%, edhe pse shqiptarët përbëjnë rreth 30% të popullatës së vendit, kjo flet qartë se partia VMRO-DPMNE në pushtet, nëpërmjet shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, ka pasur për qëllim KRIJIMIN E INSTITUCIONEVE SHTETËRORE MONOETNIKE MAQEDONASE.
MONOETNICITETI NË USHTRI
Për shkak të shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, krijimit të atmosferës antishqiptare brenda ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe të mobingut të ushtruar nga oficerët shumicë maqedonas ndaj oficerëve pakicë shqiptarë, tani më, në këto dy vitet e fundit, dhjetëra oficerë shqiptarë janë larguar nga ushtria e Maqedonisë.
Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se, në vitet shkollore 2024/2025 dhe 2025/2026, në Akademinë Ushtarake të Maqedonisë janë pranuar pothuajse vetëm studentë maqedonas dhe vetëm katër-pesë studentë shqiptarë, kjo flet qartë se partia maqedonase VMRO-DPMNE në pushtet, nëpërmjet shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, ka pasur për qëllim KRIJIMIN E USHTRISË MONOETNIKE MAQEDONASE.
MONOETNICITETI NË POLICI
Për shkak të shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, krijimit të atmosferës antishqiptare brenda policisë së Maqedonisë së Veriut, heqjes së mbishkrimit “Policia” në gjuhën shqipe nga uniforma policore e policisë së Maqedonisë dhe për shkak të mobingut të ushtruar nga policët maqedonas shumicë ndaj policëve shqiptarë pakicë, tashmë veç janë larguar qindra policë shqiptarë nga policia e Maqedonisë.
Dhe, nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se, në këto dy vitet e fundit, në radhët e policisë së Maqedonisë janë pranuar pothuajse vetëm pjesëtarë të etnisë maqedonase, kjo flet qartë se partia maqedonase VMRO-DPMNE në pushtet, nëpërmjet shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, ka pasur për qëllim KRIJIMIN E POLICISË MONOETNIKE MAQEDONASE.
MONOETNICITETI NË ADMINISTRATËN SHTETËRORE
Nga administrata e Presidencës, e Kryeministrisë dhe e të gjitha ministrive të Maqedonisë së Veriut, për shkak të shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, spostimit arbitrar të gradave dhe të titujve të punonjësve shqiptarë të administratës, ushtrimit të mobingut nga administratorët shumicë maqedonas ndaj administratorëve pakicë shqiptarë, si dhe për shkak të krijimit të atmosferës antishqiptare brenda korpusit administrativ të institucioneve shtetërore të Maqedonisë, tashmë nga administrata shtetërore e Maqedonisë janë larguar rreth 50% e punonjësve shqiptarë.
Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se, në këto dy vitet e fundit, në administratën shtetërore të Maqedonisë janë punësuar pothuajse vetëm pjesëtarë të etnisë maqedonase dhe fare pak shqiptarë, kjo flet qartë se partia maqedonase VMRO-DPMNE në pushtet, nëpërmjet shfuqizimit të mekanizmit të punësimit të balancuar, ka pasur për qëllim KRIJIMIN E NJË ADMINISTRATE MONOETNIKE MAQEDONASE.
CILAT JANË PASOJAT E KRIJIMIT TË INSTITUCIONEVEMONOETNIKE MAQEDONASE?
Krijimi i institucioneve shtetërore monoetnike maqedonase përputhet me slloganin shovinist të VMRO-DPMNE-së, “Maqedonia e Maqedonasve”, edhe pse shqiptarët, për vetë faktin se përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut, si edhe maqedonasit, paraqesin komb shtetformues në Maqedoni.
Më tej, krijimi i institucioneve shtetërore monoetnike maqedonase paraqet një akt përjashtimi, segregimi, aparteidi dhe getoizimi të shqiptarëve nga jeta shtetërore e Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët, që nga viti 1945 e deri në vitin 2001, kanë jetuar në viset e tyre në Maqedoni, të getoizuar jo vetëm nga jeta shtetërore e vendit, por në masë të madhe edhe nga jeta shoqërore dhe kulturore e vendit.
Ata kanë pasur të drejta në letër, në Kushtetutë, por nuk kanë pasur të drejta në përditshmëri.
Ata, për herë të parë, kanë fituar disa të drejta konkrete të cilat ua ka njohur Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001.
Dhe krijimi i institucioneve shtetërore monoetnike maqedonase e rrezikon seriozisht ekzistencën e shqiptarëve në Maqedoni.
Kjo sepse, në të ardhmen, mund të krijohen situata kur ushtria dhe policia monoetnike maqedonase mund të ushtrojnë gjenocid dhe spastrime etnike ndaj shqiptarëve në Maqedoni, siç ka ndodhur në konfliktin e vitit 2001, në mes të ushtrisë dhe policisë monoetnike maqedonase, në njërën anë, dhe të ushtrisë së krijuar ad hoc të shqiptarëve, e njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), në anën tjetër.
Shqiptarët, krijimit të ushtrisë dhe të policisë monoetnike maqedonase, duhet t’i kundërvihen me një luftë të kombinuar:
1. Me luftë të ashpër politike në parlament;
2. Me demonstrata paqësore masive nëpër vende publike; dhe
3. Me alarmimin me kohë të faktorit ndërkombëtar relevant lidhur me rreziqet e krijimit të ushtrisë dhe policisë monoetnike maqedonase, jo vetëm për paqen ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, por edhe për paqen e brishtë rajonale ballkanike.
Ka ardhur koha që faktori ndërkombëtar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) ta kushtëzojë me njohjen e plotë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Por, që të ndodhë kjo, shqiptarët duhet të trandën, të zgjohen e jo, siç thuhet në viset jugore të Shqipërisë:
“Pushka bam e Muçoja n’tjetrën anë!”
