AKTUALE

Nik Gjeloshaj sfidon ministren Jakšić Stojanović: “Nëse drejtoresha dëshmon B2 në shqip, jap dorëheqjen”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Anđela Jakšić Stojanović, që së bashku të vizitojnë Gjimnazin në Ulqin dhe të zhvillojnë një bisedë publike me drejtoreshën e shkollës në gjuhën shqipe.

Gjeloshaj propozon që biseda të zhvillohet përpara mediave dhe të fokusohet në programin që drejtoresha i ka paraqitur Ministrisë, si dhe në planet për zhvillimin e shkollës gjatë katër viteve të ardhshme.

“Propozoj që nesër të vizitojmë së bashku Gjimnazin në Ulqin dhe, para mediave, të bisedojmë me drejtoreshën në gjuhën shqipe, në përputhje me nivelin B2, për programin që ajo i ka paraqitur Ministrisë dhe për planet e zhvillimit të shkollës për katër vitet e ardhshme”, ka deklaruar Gjeloshaj.

Ai ka thënë se, nëse drejtoresha dëshmon publikisht njohjen e gjuhës shqipe në nivelin B2, është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për qëndrimet e tij.

“Nëse ajo e prezanton programin e saj në gjuhën shqipe dhe u përgjigjet pyetjeve në një nivel që përputhet me njohuritë e nivelit B2, unë do të jap menjëherë dorëheqjen dhe do të kërkoj falje publikisht për deklaratat e mia”, është shprehur Gjeloshaj.

Në rast të kundërt, Gjeloshaj kërkon që përgjegjësinë ta marrin ministrja Jakšić Stojanović dhe drejtoresha e Gjimnazit në Ulqin.

“Unë marr përgjegjësinë për ato që deklaroj. Të njëjtën gjë e pres edhe nga ju”, ka thënë ai.

Në fund të deklaratës së tij, Gjeloshaj ka propozuar që në këtë përballje publike të ftohen edhe Ćirgić, Batricević dhe Radoman, të cilët i ka cilësuar me ironi si “ekspertët tanë të sapoemëruar për gjuhën shqipe”.

Gjeloshaj e ka mbyllur sfidën me pyetjen: “Pra, shihemi nesër në Gjimnazin e Ulqinit?”

Ja postimi i plotë:

Le t’i japim fund kësaj historie.
Kolege Jakšić Stojanović, propozoj që nesër të vizitojmë së bashku Gjimnazin në Ulqin dhe, para mediave, të bisedojmë me drejtoreshën në gjuhën shqipe, në përputhje me nivelin B2, për programin që ajo i ka paraqitur Ministrisë dhe për planet e zhvillimit të shkollës për katër vitet e ardhshme.
Nëse ajo e prezanton programin e saj në gjuhën shqipe dhe u përgjigjet pyetjeve në një nivel që përputhet me njohuritë e nivelit B2, unë do të jap menjëherë dorëheqjen dhe do të kërkoj falje publikisht për deklaratat e mia.
Nëse, megjithatë, rezulton se ajo nuk e zotëron këtë nivel të njohjes së gjuhës dhe se publiku është vënë në lajthitje, pres që ju të merrni përgjegjësinë dhe të jepni dorëheqjen, ashtu si edhe drejtoresha e shkollës.
Unë marr përgjegjësinë për ato që deklaroj. Të njëjtën gjë e pres edhe nga ju.
Pra, shihemi nesër në Gjimnazin e Ulqinit?
P. S. Mund të ftojmë edhe Ćirgićin, Batricevićin dhe Radomanin, “ekspertët” tanë të sapoemëruar për gjuhën shqipe, që edhe ata të jenë të pranishëm dhe ta dëgjojnë bisedën.

Banner

Related posts

Mark Gjonaj dhe familja urojnë Pashkët Ortodokse

Gjyla Halili

Policia arreston dy persona në Çashkë, kanë blerë vota

Gjyla Halili

Më 9 Maj – në Ditën e Europës, nisi rrugëtimin Dega Shkup e Shkollës për Politikanët e Rinj!

Gjyla Halili