Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, në hapjen e Edicionit të VII të Festivalit Mbarëkombëtar në Vitojë, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kulturës, traditës dhe identitetit shqiptar, krahas zhvillimit të Malësisë.
Festivali është kthyer në traditë dhe bashkon shqiptarët nga të gjitha trojet dhe diaspora përmes këngës, valles, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Gjelaj theksoi se shtatë edicionet e festivalit janë dëshmi se tradita shqiptare vazhdon të jetojë dhe t’u përcillet brezave të rinj.
Ai vuri në pah se zhvillimi i Malësisë dhe ruajtja e identitetit shqiptar janë dy prioritete që duhet të ecin paralelisht.
Ai tha se Malësia ka ndryshuar ndjeshëm dhe sot, përmes Komunës së Tuzit, vendimet për zhvillimin e saj merren nga vetë komuniteti.
Gjelaj theksoi se nën drejtimin e Forumit Shqiptar, Komuna po investon në infrastrukturë, ujësjellës, hapësira publike, arsim, kulturë, sport dhe rini.
Mbi 10 milionë euro janë aktualisht të përfshira në projekte që po realizohen në Komunën e Tuzit.
“Ne duam Malësinë moderne dhe të zhvilluar, por edhe Malësinë që e di mirë kush është dhe prej nga vjen”, theksoi Gjelaj.
Kryetari nënvizoi se ecja drejt së ardhmes nuk duhet të nënkuptojë harrimin e së kaluarës, duke e cilësuar kulturën dhe traditën si rrënjë të identitetit të Malësisë.
Gjelaj falënderoi organizatorët, ansamblet pjesëmarrëse, mysafirët nga trojet shqiptare dhe diasporën, duke e shpallur zyrtarisht të hapur Edicionin e VII të Festivalit Mbarëkombëtar në Vitojë.
