AKTUALE

EPOSI I KRESHNIKËVE MONUMENT I KULTURËS SHPIRTËRORE DHE IDENTITETIT KOMBËTAR!

Shkruan: Azgan Haklaj

INVESTIGIME-SHQYRTIME-REFLEKSIONE!
RRUGËTIMI HISTORIK I MITOLOGJISË DHE IDENTITETIT KOMBËTAR!

Definimi i objektit:
Univers, poetiko-antropologjik!
Eposi i Kreshnikëve është saga më e fuqishme legjendare e botë shqiptare, ku ndërthuren poezia, mitologjia dhe antropologjia e një bote unike, sa antike, aq edhe magjepsëse.
Si një ndër eposet e fundit aktive në Evropë, ai radhitet krahas epopeve më të mëdha botërore (si Kënga e Rolandit apo eposi spanjoll).
Ky monument i gjallë, i përcjellë përmes lahutës dhe këngëve epike, përfaqëson ADN-në e thellësive të unit shqiptar në raport me historinë dhe gjithëkohësinë, duke shënjuar procesin magjik të kalimit nga iliro-dardanët tek identiteti arbëror.
Arkitektura e qenies kombëtare!
Identiteti shqiptar nuk është produkt i rastësisë, por ngrihet mbi tri shtylla themeltare të pandryshueshme, siç artikulohet nga vizioni i Ismail Kadaresë:
Kultura Pellazgo-Ilire është shtrati parahistorik i qenies sonë.
Eposi i Kreshnikëve është estetika dhe shpirti mitiko-heroik që ka kushtëzuar formimin psiko-sociologjik të shqiptarit.
Kanuni i Lekë Dukagjinit është shtylla ligjore dhe etike e vetëqeverisjes.
Argumentimi shkencor dhe tezat mbi formimin!
Përballë debateve akademike, dosja mbështetet në tezat bashkëkohore të dijetarëve si prof. dr. Shaban Sinani, akademik Aleks Buda, Ramadan Sokoli “Nderi i Kombit”!
Eposi nuk është një relikt i izoluar, por një “palimpsest” kulturor:
Koha e formimit:
Studimet e sinkronizojnë lindjen e tij me epopetë evropiane të shekujve XI-XII, periudhë kur popujt artikuluan vetëdijen për “tjetrin”, por fillesat.
Eposi i Kreshnikeve i ka fillesat qysh kur dyndjet sllave kaluan Danubin në shekujt V-VI dhe filluan përplasjet me iliro- dardanët!
Në këtë kohë lindi identiteti arbëror nga iliro dardanët dhe tharmi i këtij identiteti është Eposi i Kreshnikëve.
Struktura e brendshme:
Edhe pse përmban shtresa të hershme (antike, ilire), eposi u kristalizua në Gjuhën Shqipe, duke u shndërruar në “etninë e brendshme” të shqiptarit”.
Ligjësia e mbylljes:
Mbyllet me ciklin e Betejës së Fushë-Kosovës, duke shënuar tranzicionin drejt epikës historike.
Misioni drejt UNESCO-s dhe kujtesës globale!
Ky projekt i mishëruar në këtë dosje, në librin monografik, festivalin e parë tipologjik dhe në ciklin e filmave dokumentarë nuk është thjesht një kërkim studimor, por një akt mbrojtjeje.
Tentativat për tjetërsim dëshmojnë vitalitetin e eposit, ndërsa mungesa e tij në listën e trashëgimisë së UNESCO-s dëshmon një plogështi institucionale që duhet marrë fund.
Zotimi im si autor për një dosje të hapur!
Ky punim lindi nga përjetimi im si bartës i kësaj tradite, nga netët e dimrit në kullën e hapur të Malësisë së Gjakovës, te skenat kombëtare e ndërkombëtare ku kam interpretuar këto motive. Eposi i Kreshnikëve është guri më i çmuar në gjerdanin e artë të pasurive shpirtërore planetare.
Ideja e ketij projekti shumë dimensional nuk lindi si një shkëndi e çastit apo si një imazh primordial jungian që ndriçoi papritur qenien time.
Ky projekt ka jetuar gjithmonë brenda meje; është formimi im kulturor, emocional dhe një kujtesë e përditshme.
Ai është pjesë e identitetit tim shpirtëror, i brumosur nga leximet e shumta dhe përjetimet e thella.
Jam rritur me këngët e kreshnikëve të shoqëruara nga lahuta në netët e gjata të dimrit, në kullën tonë të hapur ditë e natë për miq.
Kumtet epike të atyre sagave më zhysnin që fëmijë në një botë ëndërrimi e fantazie të harlisur.
Valbona, me uturimën e valëve të saj, sillte si jehonë në veshët e mi copëza vargjesh e bëmash ku vërtiteshin Muja e Halili në Edenin e Jutbinës apo te Lugjet e Verdha, atje ku prehet Omeri dhe ku Ajkuna ka vajtuar të birin me ligjërime që të rrënqethnin trupin.
Ky imazh nuk mund të mbruhej më natyrshëm se në trevën e Malësisë së Gjakovës.
Aty, koha dhe historia e njerëzve mbajnë diçka madhështore, stoike, mistike e transcendentale, si të huazuar nga vetë heronjtë e eposit.
Për përvojën time personale dhe artistike, ky epos ka qenë një bekim.
Teksa kam kërcyer në skena kombëtare e ndërkombëtare valle me motive nga Cikli i Kreshnikëve, gjer në festivalin e Sanremos, Festa dei popoli 2026 kam ndier se si toka nën këmbë më jepte një energji eterike.
Më dukej se bashkë me mua vallëzonin orët e malit, shtojzovallet, zanat e maleve që ushqenin me qumësht kreshnikët për t’i bërë më të fortë.
Në skenat ku kam interpretuar prej katër dekadash me flladiste bukuria e pashoq e Tanushës së Krajlit. Më dukej se bëhej njësh me hapin tim hovi i Gjergj Elez Ali-së, i ngritur nga shtrati i lëngatës nëntëvjeçare për të shembur përdhe Bajlozin e Zi.
Dosja jonë mbetet e hapur:
Një grumbullim i vazhdueshëm faktologjie, dokumentacioni të ri dhe studimesh krahasuese, për të garantuar që ky burim i pashtershëm i muzës sonë të bekuar të zërë vendin që i takon në panteonin e vlerave universale të njerëzimit.

Banner

Related posts

Sela: Taravari nuk mund të kthehet në ASH, bashkimi me të do të ishte “imoralitet ekstrem”

Gjyla Halili

Shkup: Djali vret babanë me 30 goditje thike pasi ai sulmoi nënën, Prokuroria kërkon paraburgim

Gjyla Halili

Sot ditë zie në Kosovë, në nderim të jetës dhe veprës së Rexhep Qosjes

Gjyla Halili