Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka përkujtuar sot në Luboten martirët e tragjedisë së 12 gushtit 2001.
Në 25-vjetorin e tragjedisë, Ademi ka nderuar dhjetë civilët shqiptarë që humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar, duke theksuar se kalimi i kohës nuk e zbeh përgjegjësinë për të kujtuar viktimat.
Sipas tij, përkujtimi i Lubotenit nuk duhet të mbetet vetëm një kthim në një kapitull të dhimbshëm të historisë, por duhet të shërbejë si mësim për të tashmen dhe brezat që vijnë.
Ademi ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt, duke nënvizuar se urrejtja, ndarjet dhe padrejtësia nuk duhet të prodhojnë më tragjedi njerëzore.
“Me respekt përulem para kujtimit të martirëve të Lubotenit dhe dhimbjes së familjeve të tyre. Kujtesa për ta është njëkohësisht obligim që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!”, ka shkruar Ademi.
Ja postimi plotë:
Sot, në Luboten, përkujtuam martirët e tragjedisë së 12 gushtit 2001. Njëzet e pesë vjet kanë kaluar, por koha nuk e zbeh përgjegjësinë për të kujtuar dhjetë civilët shqiptarë që humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë vetëm gjashtëvjeçar.
Përkujtimi i Lubotenit nuk duhet të jetë vetëm kthim në një kapitull të dhimbshëm të historisë sonë. Ai duhet të jetë leksion për të tashmen dhe për brezat që vijnë: paqja nuk është e vetëkuptueshme, ndërsa urrejtja, ndarjet dhe padrejtësia nuk duhet të lejohen kurrë më të prodhojnë tragjedi njerëzore. Vetëm duke u përballur me të kaluarën mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt për të gjithë.
Sot u përulem me respekt kujtimit të martirëve të Lubotenit dhe dhimbjes së familjeve të tyre. Kujtesa për ta është njëkohësisht obligim që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!







