AKTUALE

Zvarritet ekstradimi i Gruevskit nga Hungaria, lënda ‘Talir 2’ largohet nga dokumentacioni

Ekstradimi i ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevskit i cili prej vitesh ndodhet në arrati vazhdon të zvarritet, ndërs pas vendimit të Gjykatës Penale për rrëzimin e aktakuzës në rastin ‘Talir 2’, kjo lëndë nuk do të jetë pjesë e dokumentacionit për ekstradim. Ministria e Drejtësisë nuk jep informata konkrete për ekstradimin e tij, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Drejtësisë nuk tregon nëse dhe kur do të paraqesin kërkesë të re për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria dhe përballjen e tij me drejtësinë.

Derisa ky proces nuk po merr epilog, Gruevski shpëtoi nga ndjekja në rastin ‘Talir 2’, pasi Gjykata Penale e hodhi poshtë akuzën.

Nga Ministria e Drejtësisë, për Portalb.mk thonë se nga tani dokumentacioni nuk do ta përfshijë rastin ‘Talir 2’, pasi me vendim gjykate nga tani e tutje ish-kryeministri Nikolla Gruevski është liruar nga ajo lëndë.

Njëkohësisht, theksojmë se të gjitha procedurat kryhen përmes një procesi institucional dhe në bashkëpunim me autoritetet kompetente të Hungarisë. Deri më sot, Ministria e Drejtësisë nuk ka marrë njoftim zyrtar nga autoritetet kompetente se statusi i azilit të Nikolla Gruevskit është revokuar. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të veprojë brenda kompetencave të saj ligjore, bazuar në dokumentacionin e plotë të ofruar dhe në përputhje me legjislacionin vendas dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë, çështja e Gruevskit mbetet aktuale edhe në Hungari që nga rënia nga pushteti e ish-kryeministrit Viktor Orban, ndërsa kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka thënë se Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelët ndërkombëtarë.

“Kjo vlen edhe për zotin Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu shkelës i ligjit”, ka deklaruar Magyar.

Kujtojmë se deri më tani është paraqitur kërkesë për ekstradim të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski më 20 nëntor 2018 dhe ndryshim të kërkesës në qershor 2019.

Në atë kohë kërkesa përfshinte të gjitha rastet për të cilat në atë kohë po zhvilloheshin procedura para autoriteteve gjyqësore dhe për të cilat ishte lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar.

Për shkak statusit të azilit të fituar nga Nikolla Gruevski, Republika e Hungarisë e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim më 5 gusht 2019, me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil në përputhje me ligjin hungarez, i cili nuk lejon ekstradimin e një personi që gëzon një status të tillë në vendin nga i cili ai është larguar.

Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas një aktgjykimi të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.

Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në nëntor 2018, pak para se të fillonte të vuante një dënim dyvjeçar me burg në rastin “Tank” – dënim për korrupsion që lidhet me blerjen e një Mercedesi luksoz të blinduar me vlerë 600,000 euro.

Ai u largua nga vendi nëpërmjet Shqipërisë, pastaj vazhdoi nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, gjoja me ndihmën e një automjeti diplomatik hungarez dhe sipas raporteve të asaj kohe, me përfshirjen e shërbimit të inteligjencës së jashtme hungareze. Qeveria e Orbán më pas i dha atij azil politik.

Banner

Related posts

Toshkovski: Për 24 orë u zbardh një tentim vrasje në Shkup

Gjyla Halili

Emir Sulejmani me mesazh të fuqishëm nga vendlindja: “Çdo hap që bëj, e bëj për ju!”

Gjyla Halili

Bajram Rexhepi: Tetova ka nevojë për më shumë gra në vendimmarrje dhe në pozita udhëheqëse!

Gjyla Halili