AKTUALE

Blerim Bexheti: Mos publikimi i pamjeve i shërben Ivan Stoilkoviqit

Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar lidhur me mos publikimin e pamjeve nga incidenti i fundit në Kuvend, duke akuzuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, se po mbron, sipas tij, Ivan Stoilkoviqin dhe ndikimin e projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”.

Sipas Bexhetit, arsyetimi se pamjet nuk publikohen për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale nuk qëndron, pasi ngjarja ka ndodhur në një institucion publik dhe gjatë ushtrimit të funksionit publik.

“Afrim Gashi duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë: kë po mbron? Po mbron një deputet të zakonshëm apo ambasadorin më të zëshëm të projektit ‘Bota Serbe’ në Maqedoninë e Veriut?”, është shprehur Bexheti.

Deputeti i BDI-së ka theksuar se mos publikimi i pamjeve dëmton transparencën dhe dinjitetin e Kuvendit, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të informohen për atë që ka ndodhur në institucionin më të lartë ligjvënës.

Ai ka vlerësuar se çështja nuk lidhet vetëm me publikimin e pamjeve, por edhe me përgjegjësinë institucionale dhe transparencën ndaj opinionit publik.

Ja postimi plotë:

Kur nuk ke guxim ta dënosh influencën dhe dhunën e “Botës Serbe”, përfundon duke e mbrojtur atë!

Afrim Gashi nuk zgjodhi të mbrojë dinjitetin e Kuvendit. Zgjodhi të mbrojë “kapadaillëkun” e Ivan Stoilkoviqit, duke u fshehur pas arsyetimit absurd të “mbrojtjes së të dhënave personale” për të mos publikuar pamjet e incidentit.

Është paradoksale që mbrohen “të dhënat personale” të një politikani, ndërsa fshihet një akt që ka ndodhur në një institucion publik, gjatë ushtrimit të funksionit publik.
Afrim Gashi duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë: kë po mbron?
Po mbron një deputet të zakonshëm, apo po mbron ambasadorin më të zëshëm të projektit “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut?
Sepse sa herë relativizohet sjellja e Ivan Stoilkoviqit, i jepet mesazhi se ai është mbi ligjin, mbi institucionet.

Nëse sot mbulon sjelljen e atij që konsiderohet simbol i politikave që kanë cenuar të drejtat e shqiptarëve, atëherë nuk mund të pretendosh se je në mbrojtje të interesit të tyre. Heshtja dhe fshehja, në këtë rast, nuk janë neutralitet. Janë zgjedhje politike.
Sepse nuk është vetëm pyetja pse nuk u publikuan pamjet.

Pyetja më e madhe është: pse u zgjodh të mbrohej ai, e jo dinjiteti i Kuvendit dhe e drejta e qytetarëve për të ditur të vërtetën?

Banner

Related posts

MPB-ja vazhdon kontrollet në komunikacion, gjobiten 167 vozitës në Shkup

Gjyla Halili

Luan Veliu kujton dëshmorët e rezistencës në Gostivar: “Lavdia e tyre do të jetojë brez pas brezi”

Gjyla Halili

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: Bankat private nuk e kanë detyrim ligjor përdorimin e gjuhës shqipe

Gjyla Halili