Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe vendbanimet e tjera që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ka theksuar rëndësinë e ushtrimit të së drejtës demokratike të votës, duke nënvizuar se përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë është i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare.
Ai ka vënë në pah edhe nevojën që përmes përfaqësimit parlamentar të ngrihen shqetësimet lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva.
Sipas mesazhit të publikuar, forcat politike shqiptare garojnë të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17.
Ahmeti ka theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje përbën një mundësi për shprehjen e vullnetit të lirë dhe përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.
Mesazhin e tij e ka përmbyllur me thirrjen për bashkim në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Ja postimi plotë:
Të dashur bashkëkombës në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në vendbanimet e tjera,
Me rastin e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, ju bëj thirrje të ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës dhe të merrni pjesë sa më masivisht në procesin zgjedhor.
Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, gjuhësore dhe qytetare, si dhe për ngritjen e shqetësimeve lidhur me diskriminimin, padrejtësitë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva.
Në këto zgjedhje, forcat politike shqiptare paraqiten të bashkuara në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numër 17. Pjesëmarrja masovike në zgjedhje është një mundësi për të shprehur vullnetin e lirë dhe për të forcuar përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.
Të bashkuar në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve!
