AKTUALE

Nikollë Camaj: Mali i Zi mund të përparojë vetëm nëse dallimet bëhen ura bashkëpunimi, e jo arsye për ndarje

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, diskutoi në televizionin e Podgoricës për pozitën e popujve pakicë, bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e vendit.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ishte i ftuar në emisionin televiziv „Ky është Mali i Zi“, ku, së bashku me katër gazetarë, diskutoi për një sërë çështjesh aktuale që lidhen me bashkëjetesën, marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi dhe rajonit.

Gjatë diskutimit, Camaj vuri theksin te rëndësia e garantimit të të drejtave të popujve pakicë, ruajtja e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, si dhe ndërtimi i një shoqërie të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë.

Ai theksoi se dallimet duhet të shërbejnë si ura bashkëpunimi dhe jo si shkak për ndarje, duke nënvizuar se patriotizmi duhet të jetë bindje dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së përbashkët, e jo mjet për interesa të përkohshme apo personale.

Një pjesë e bisedës iu kushtua marrëdhënieve me shtetet fqinje, veçanërisht bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe rëndësisë së forcimit të marrëdhënieve me të gjitha vendet e rajonit. Sipas Camajt, perspektiva e përbashkët është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por paralelisht me këtë proces duhet të krijohen kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.

Duke komentuar zgjedhjet në Serbi dhe ndikimin e tyre në marrëdhëniet rajonale, Camaj theksoi se bashkëpunimi me fqinjët duhet të ndërtohet mbi përgjegjësi dhe vizion afatgjatë, pavarësisht ndryshimeve politike dhe rezultateve zgjedhore. Ai nënvizoi se miqësia dhe partneriteti nuk duhet të varen vetëm nga rezultatet e zgjedhjeve, duke veçuar lidhjet me shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë.

Ja postimi plotë:

🇦🇱
Mbrëmë isha i ftuar në televizionin e Podgoricës, në emisionin „Ky është Mali i Zi“, ku me katër gazetarë diskutuam për tema tejet aktuale, me rëndësi për bashkëjetesën në Malin e Zi dhe rajonin.

Vëmendje të veçantë i kushtuam pozitës së popujve pakicë, bashkëpunimit ndërmjet dallimeve dhe nevojës për të ruajtur vlerat tona kombëtare, gjuhësore dhe kulturore, duke respektuar njëri-tjetrin dhe duke garantuar barazinë, ku patriotizmi duhet të jetë parim dhe bindje, në shërbim të një të ardhmje më të mirë, e jo interes vetëm aktual apo personal. Këtu, potencova se Mali i Zi mund të përparojë vetëm nëse dallimet bëhen ura bashkëpunimi, e jo arsye për ndarje.

U fol edhe për marrëdhëniet me shtetet fqinje, veçanërisht për nevojën që të forcojmë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kosovën, por natyrisht edhe me të gjithë fqinjët e tjerë. Besoj se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, ku kufijtë do të zhduken, por duhet siguruar kushtet që rinia jonë të jetojë këtu.

Në temën mbi zgjedhjet në Serbi, ceka se pavarësisht se kush është në pushtet, marrëdhëniet me fqinjët duhet t’i ndërtojmë me përgjegjësi dhe me një vizion afatgjatë. Miqësia dhe bashkëpunimi nuk duhet të varen vetëm nga rezultatet zgjedhore, sepse miq të sinqertë kemi si në pushtet, ashtu edhe në opozitë, ku natyrisht se veçova vëllezërit e mi në Shqipëri dhe Kosovë.

Natyrisht se u bisedua edhe për çështjen e kushtëzimeve që janë përmendur në media, lidhur me 4 mandatet. Theksova se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por për angazhim për përmbushjen e detyrimeve ndaj pakicave, pavarësisht ritmit të procesit të integrimit evropian. Prandaj, pohova se edhe letra për të cilën është folur, e të cilën e kam nënshkruar edhe unë, nuk ishe kushtëzim, por një kërkesë drejtuar Ambasadorit të Bashkimit Evropian që të merret parasysh dhe të respektohet ky obligim ndaj pakicave, në veçanti ndaj shqiptarëve. Dhe natyrisht se potencova se kjo ishtëme temë dominante në çdo takim që kam pas me europianët dhe paraqet çështje që do të zgjidhte sipas modelit më të mirë europian.

Qëndrimi im mbetet i qartë: të ruajmë identitetin tonë, të respektojmë identitetin e të tjerëve, të ndërtojmë partneritete dhe të punojmë për të mirën e të së ardhmes. Sepse e ardhmja e rajonit nuk qëndron te ndarjet e reja, por te bashkëpunimi ndërmjet popujve dhe shteteve që duhet të përparojnë së bashku.

Banner

Related posts

Kryeministri Mickoski do të mbajë fjalim në Odën ekonomike gjermane

Gjyla Halili

Krerët e VLEN-it, të premten në iftar te Albin Kurti!

Gjyla Halili

Në Gjykatën Penale vazhdon gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes

Gjyla Halili