Lajme

VLEN: Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të bëhen viktimë e interesave partiake

Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë Qendrore, koalicioni VLEN ka reaguar duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë, komunikimi institucional dhe bashkëpunimi ndërshqiptar duhet të mbeten jashtë interesave të ngushta politike.

Nga VLEN thonë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe rajon kanë nevojë për më shumë unitet, besim dhe përgjegjësi të përbashkët, ndërsa çdo përpjekje për dezinformim, insinuata politike apo cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare, sipas tyre, është e dëmshme për interesin e përgjithshëm.

“Çdo përpjekje për spiunim, dezinformim, insinuata politike apo cenim të marrëdhënieve ndërshqiptare është e dëmshme, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me interesin e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas koalicionit, BDI-ja, në mungesë të rezultateve dhe vizionit, po përpiqet përmes “konstruksioneve të orkestruara” të krijojë mosbesim dhe konfuzion në opinion.

“Kjo nuk është patriotizëm. Kjo është nervozë politike e shndërruar në dëm për interesin e përbashkët të shqiptarëve”, deklarojnë nga VLEN.

VLEN ka theksuar se respekton Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si institucion dhe çdo komunikim zyrtar ndërmjet dy shteteve, duke nënvizuar se marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ndërshqiptare nuk duhet të reduktohen në interesa individuale apo partiake.

“Institucionet janë më të mëdha se politika ditore, ndërsa marrëdhëniet ndërshqiptare nuk guxojnë të reduktohen në interesat e individëve apo grupeve partiake”, thuhet në reagim.

Nga VLEN theksojnë se do të vazhdojnë komunikimin institucional me Shqipërinë, duke u angazhuar për stabilitet, bashkëpunim dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarëve u duhet unitet, jo intriga. U duhet bashkëpunim, jo kurthe politike”, përfundon reagimi i VLEN-it.

Banner

Related posts

Nismë historike: Nikollë Camaj propozon themelimin e Institutit Albanologjiko-Kulturologjik në Mal të Zi

Admin2

Pastrohet deponia në fshatin Tearcë pas shumë vitesh, Daut Memishi: Po i japim hapësirës një pamje të re

Admin2

Ahmeti nga Shkupi: BDI nuk frikësohet dhe nuk mposhtet, mbetemi të përkushtuar për integrimin evropian

Admin2