Tetova është zgjuar këtë të premte me një sërë mbishkrimesh dhe muralesh politike në disa lokacione të qytetit, vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar nga dega e BDI-së në Tetovë. Në muret e qytetit janë shfaqur mbishkrime si “Hajdutët e Vakëfit”, “Josip Broz Kasami” dhe “Hyzmeqarët e Serbisë”, të cilat vijnë në prag të marshit protestues që opozita shqiptare e ka paralajmëruar si fillimin e asaj që e quan “rezistencë qytetare” për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Në ndërkohë, sot, BDI përmes një konference për shtyp ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës në Tetovë, duke e cilësuar atë si një manifestim paqësor dhe dinjitoz për mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë juridike dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas komunikatës së BDI-së, shkak i drejtpërdrejtë për mobilizimin është vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me emërtimet e rrugëve në Tetovë, por partia vlerëson se pakënaqësia qytetare shkon përtej këtij rasti. Ajo pretendon se prej kohësh po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke krijuar pasiguri juridike dhe politike.
Në komunikatë rikujtohet se Këshilli i Komunës së Tetovës kishte miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve në përputhje me ligjin dhe me shumicën e dyfishtë, ndërsa Qeveria, sipas BDI-së, nuk kishte reaguar brenda afatit ligjor, gjë që, sipas interpretimit të partisë, nënkuptonte miratimin automatik të aktit. BDI thekson se vendimi ka qenë pjesë e rendit juridik për rreth 20 vjet dhe se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese krijon një precedent që ngre shqetësime edhe për çështje të tjera të ndjeshme, përfshirë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Partia opozitare u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e së shtunës në mënyrë paqësore, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të parimeve mbi të cilat, sipas saj, është ndërtuar shteti. (koha.mk)
