Një person 25-vjeçar dyshohet se është zhdukur pasditen e së martës në Liqenin e Batllavës, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit po vazhdon prej disa orësh.
Sipas burimeve të Tëvë1, 25-vjeçari kishte qenë në një varkë së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në një moment ai dyshohet se është hedhur në ujë për të notuar, por nuk është parë më të dalë në sipërfaqe.
Po sipas të njëjtave burime, thellësia e ujit në zonën ku ndodhi rasti është rreth 10 metra.
Në operacionin e kërkimit është angazhuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila iu është bashkuar Policisë së Kosovës dhe ekipeve të tjera të kërkim-shpëtimit në përpjekjet për lokalizimin e 25-vjeçarit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:00 dhe se operacioni është ende në zhvillim.
“Rreth orës 13:00, Policia ka pranuar informatën se një person dyshohet se ka hyrë në ujë në Liqenin e Batllavës dhe më pas nuk është parë të dalë. Menjëherë pas pranimit të informatës, janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit. Aktualisht, operacioni i kërkimit dhe shpëtimit është duke vazhduar”, ka deklaruar Pllana në një përgjigje me shkrim.
Në vendin e ngjarjes mbeten të angazhuara njësitë e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e FSK-së dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa kërkimet për gjetjen e 25-vjeçarit po vazhdojnë.
