AKTUALE

Ivan Ivanaj: Shpifjet nuk e ndalin mbrojtjen e interesave të Malësisë

Ivan Ivanaj ka reaguar ndaj, siç i cilësoi ai, shpifjeve dhe manipulimeve të ditëve të fundit lidhur me procesin e arbitrazhit për ndarjen e pasurisë mes Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit Podgoricë, duke theksuar se askush nuk ka tradhtuar interesat e Malësisë.

Sipas Ivanajt, pretendimet se Nik Gjeloshaj dhe komisioni i arbitrazhit kanë “shitur” toka ose kanë ndryshuar kufijtë janë të pavërteta dhe kanë për qëllim mashtrimin e opinionit publik për interesa politike.

Ai theksoi se komisioni, gjatë tetë viteve të punës, është angazhuar vazhdimisht për mbrojtjen e territorit dhe pasurisë së Komunës së Tuzit, duke shtuar se, po të kishte pasur synim të bënte lëshime, çështja nuk do të ishte dërguar fare në arbitrazh.

Ivanaj sqaroi gjithashtu se kufijtë e komunave kadastrale nuk janë përcaktuar nga komisioni aktual, por janë vendosur dekada më parë, ndaj, sipas tij, është e padrejtë që përgjegjësia për vendime historike t’u atribuohet atyre që sot po mbrojnë interesat e Malësisë.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, ai tha se procesi i arbitrazhit është ndërprerë pas dorëheqjes së kryetares së komisionit dhe do të nisë nga e para, duke vlerësuar se kjo tregon pakënaqësinë e palës tjetër me rrjedhën e deritanishme të procesit.

Ivanaj u bëri thirrje kundërshtarëve politikë që të zhvillojnë debat mbi fakte dhe argumente, e jo mbi shpifje dhe sulme personale, ndërsa theksoi se Forumi Shqiptar do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e Malësisë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Në fund, ai falënderoi bashkatdhetarët në mërgim për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se “koha gjithmonë e nxjerr në pah të vërtetën” dhe se Malësia do të vazhdojë të ecë përpara mbi bazën e punës, përgjegjësisë dhe ndershmërisë.

Ja postimi plotë:

Ditët e fundit kemi dëgjuar fyerje, shpifje dhe manipulime, sipas të cilave Nik Gjeloshaj dhe komisioni që përfaqëson Komunën e Tuzit në procesin e arbitrazhit paskan bërë tradhti, paskan shitur toka dhe paskan ndryshuar kufijtë e Malësisë. Këto sulme vijnë nga ata që synojnë të hyjnë në jetën politike të Malësisë duke ndërtuar karrierë mbi gënjeshtra dhe duke manipuluar me emocionet e malësorëve të ndershëm.
Por, një gje duhet ta dijë secili – nëse ky komision do ta kishte pasur ndonjëherë për qëllim t’i bënte dëm Malësisë, ka pasur mundësinë ta bëjë gjatë këtyre tetë viteve. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj kohe ka luftuar me këmbëngulje për territorin, pasurinë dhe të drejtat e Komunës së Tuzit.

Po ashtu, po të kishte dashur të mbyllte sa më shpejt procesin e ndarjes së pasurisë me Podgoricën duke bërë lëshime, nuk do ta kishte çuar çështjen në arbitrazh, dhe kërkuar tokat e pasurinë që mendojmë se i takojnë Malësisë.

Duhet të sqarohet edhe një e vërtetë tjetër: ky komision nuk i ka caktuar kufijtë e komunave kadastrale. Këta kufij janë vendosur dekada më parë, që në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj është e pandershme që përgjegjësia për vendime historike t’u faturohet njerëzve që sot po përpiqen të mbrojnë interesat e Malësisë.

Procesi i arbitrazhit është ndërprerë pasi kryetarja e komisionit dha dorëheqje dhe tashmë do të fillojë nga e para. Logjika e shëndoshë të çon në një përfundim të thjeshtë: pala tjetër ishte e pakënaqur me rezultatin.

Kundërshtarët politikë kanë të drejtë të na kritikojnë dhe të përpiqen të fitojnë mbështetje , kjo është pjesë normale e demokracisë. Por kur kritika zëvendësohet me shpifje, trillime dhe sulme personale, madje edhe ndaj familjeve, atëherë nuk kemi më debat politik, por përpjekje të qëllimshme për të mashtruar opinionin publik.

Forumi Shqiptar dhe Nik Gjeloshaj nuk e kanë tradhtinë në ADN-në e tyre! Kjo forcë politike ka sjellë ndryshimin më të madh në historinë politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Të gjithë e dinë se ku e kemi gjetur Malësinë dhe ku ndodhet ajo sot — dhe pikërisht ky zhvillim është arsyeja pse disa nuk mund ta pranojnë suksesin tonë.

Ne nuk do të ndalemi nga fyerjet, shpifjet apo presionet. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi për zhvillimin e Malësisë dhe për mbrojtjen e interesit të çdo qytetari.

Në veçanti dua t’u drejtohem ju vllazen e motra në mërgim. Dashuria juaj për atdheun është e vërtetë dhe e çmuar — ajo ju lidh me këto troje edhe kur jeni larg, dhe çdo fjalë e keqe, çdo shpifje, e zmadhon mallin që mbani në zemër.
Por ta keni të qartë: Malësia është në duar të sigurta. Është në duart e atyre që e duan me zemër të plotë, që mundohen dhe luftojnë çdo ditë për të — jo në duart e atyre që, nga inati i mbrapshtë dhe qëllime të errëta, angazhohen me një synim të vetëm: të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar së bashku gjatë këtyre shtatë viteve.

Koha gjithmonë e nxjerr në pah të vërtetën, prandaj edhe ju që “kritikoni”, vllaznisht ju këshilloj: leni fyerjet, shpifjet dhe fabrikimet. Në Malësi, njerëzit e vlerësojnë fjalën e drejtë, argumentin dhe ndershmërinë — ndërsa shpifjen dhe baltosjen i kanë urryer gjithmonë.

Mbajeni mend: uji kalon, por zalli mbetet.

Banner

Related posts

“Lavdi e përjetshme dëshmorëve” – Zef Berishaj përkujton Epopenë heroike të UÇK-së

Gjyla Halili

Sipas raportit të lumturisë, Maqedonia është në vendin e 84-të nga 143 shtete

Gjyla Halili

Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 € për gazetarët e lënduar sot në veri të Kosovës!

admin