AKTUALE

PROTESTA  QË BASHKOI SHQIPTARËT!

ZGJIMI GJEOPOLITIK DREJT NJË SHQIPËRIE TË LIGJIT DHE PROSPERITETIT KOMBËTAR!

Shkruan: Azgan Haklaj

Bota po hyn në një rend të ri gjeopolitik, ku kornizat e vjetra të sigurisë po shkërmoqen dhe po zëvendësohen nga një arkitekturë e re tensionesh policentrike.
Fuqitë e mëdha po ripozicionohen dhe kufijtë strategjikë po ridefinohen me një shpejtësi marramendëse, ndërsa Ballkani Perëndimor nuk ka luksin të mbetet vëzhgues pasiv apo spektator i thjeshtë i ngjarjeve që do të vulosin të ardhmen e tij. Rajoni ynë po testohet egërsisht si një vijë nevralgjike e përplasjes së vizioneve antagoniste për të ardhmen e Europës.
Për shqiptarët ky moment historik nuk lejon më rolin e kompromentuar të vëzhguesit.
Përballë valëve të populizmit, dezinformimit masiv dhe ndikimeve gjeopolitike hibride që kërkojnë destabilizim, orientimi ynë historik euroatlantik nuk është thjesht një rreshtim politik, por një zgjedhje e qartë civilizuese.
Megjithatë, për të qenë faktor real stabiliteti dhe subjekt llogaridhënës në arenën ndërkombëtare, sfida jonë më e madhe mbetet ajo e brendshme: transformimi i thellë i sistemit tonë shtetëror.
Në këto 35 vite tranzicion të stërzgjatur, Shqipëria ka dështuar në mënyrë dramatike të ndërtojë një shtet të mirëfilltë të së drejtës.
Në vend të parimeve kushtetuese ku ligji sundon mbi të gjithë në mënyrë të barabartë, sistemi ka degraduar në një pushtet absolut të shumicës politike të radhës.
Partitë në qeverisje e kanë përdorur dhe keqpërdorur makinerinë shtetërore për kapjen e institucioneve të pavarura, kontrollin e monopoleve ekonomike dhe riciklimin e vazhdueshëm të elitave klienteliste.
Ky autokratizëm elektoral ka vrarë përfundimisht meritokracinë dhe ka ushqyer një korrupsion sistemik e endemik në nivelet më të larta të administratës dhe vendimmarrjes.
Kjo ngrehinë e mbyllur politike ka krijuar një hendek të madh mes shoqërisë dhe shtetit, duke sjellë si pasojë hemorragjinë më të tmerrshme demografike të kombit tonë: emigrimin masiv dhe ikjen e trurit, ku të rinjtë, studentët dhe profesionistët më të kualifikuar largohen nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës dhe pasigurisë për të ardhmen.
Për të thyer këtë mur tri-dekador të pandëshkueshmërisë që ka mbrojtur kastën e paprekshme drejtuese, mbështetja dhe bashkëpunimi i paekuivok me SPAK-un dhe strukturat e reja të drejtësisë përbëjnë një emergjencë kombëtare dhe një vijë ndarëse ekzistenciale.
Drejtësia e re përfaqëson sot të vetmen digë mbrojtëse reale mes rënies përfundimtare në një autokraci të korruptuar dhe ndërtimit të një shteti ligjor.
Ky institucion ndodhet nën një presion të vazhdueshëm politik, mediatik dhe ekonomik nga ana e atyre që kërkojnë të ruajnë status quo-në, prandaj shoqëria civile, elita intelektuale dhe qytetarët duhet të qëndrojnë si një mburojë e palëkundur rreth tij.
Pa një goditje të vendosur dhe pa ndëshkimin e korrupsionit të nivelit të lartë, asnjë reformë ekonomike, arsimore apo sociale nuk mund të ketë sukses dhe asnjë investim i huaj serioz nuk do të gjejë garanci juridike në këtë vend.
Në rrafshin e lidershipit, ky tranzicion mban vulën e tre personazheve që kanë dominuar, manipuluar dhe bllokuar skenën politike për dekada me radhë përmes krizave të ricikluara dhe ndasive artificiale. Është koha historike që Sali Berisha dhe Edi Rama t’i bashkohen Ilir Metës si hipotenuza dhe kateti tjetër i të njëjtit “Trekëndësh të Bermudës” në politikën shqiptare.
Ky konfigurim që ka mbajtur peng zhvillimin e vendit dhe ka asgjësuar debatin e lirë e konkurrencën e ndershme brenda forcave politike, duhet të kapërcehet përfundimisht.
Shqipëria nuk ka më kohë për të harxhuar energji jetike në debate sterile dhe luftëra të brendshme për interesa personale të liderëve të vjetër, por ka nevojë për një lidership të pjekur, institucional dhe vizionar që mban peshën e realitetit dhe di të ndërtojë procese solide.
Pikërisht përballë këtij bllokimi disadekador po dëshmojmë aktualisht një zgjim jetik popullor përmes protestave që po tronditin Tiranën.
Ky reagim qytetar në sheshe nuk është thjesht një revoltë e radhës, por një kërkesë emergjente për largimin përfundimtar të të gjithë klasës politike aktuale, e cila mban përgjegjësinë absolute për dështimet, korrupsionin dhe zbrazjen e vendit gjatë 35 viteve të fundit.
Në këtë kontekst, pjesëmarrja dhe domosdoshmëria e protestës aktive duhet parë si një aleancë strategjike dhe organike me SPAK-un. Drejtësia e re, si një investim masiv politik dhe financiar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian ka nevojë jetike për mbështetjen e rrugës për të thyer muret e pandëshkueshmërisë.
Ky bashkim mes presionit popullor dhe strukturave të pavarura të drejtësisë përbën të vetmen rrugëdalje për të çmontuar kastën e vjetër dhe për të shpëtuar të ardhmen e shtetit.
Ky reflektim i brendshëm bëhet edhe më urgjent kur e zhvendosim vëmendjen në rrafshin rajonal, ku hapësira shqiptare vazhdon të përballet me politikat hapur jo-miqësore dhe agjendat destabilizuese të fqinjëve tanë historikë.
Procesi i pasivizimit administrativ dhe të heshtur të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga ana e autoriteteve serbe përbën një spastrim etnik burokratik që kërkon reagim të ashpër ndërkombëtar. Kjo strategji e tjetërsimit plotësohet rrezikshëm me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, ku po goditet qëllimisht përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe po ndërmirret një proces arbitrar i heqjes së emërtimeve të rrugëve nga shqip në maqedonisht, duke tentuar fshirjen e identitetit dhe historisë sonë nga memoria urbane. Ndërkohë që këto presione asfiksojnë shqiptarët në trojet e tyre, projektet hegjemoniste rajonale synojnë vazhdimisht të minojnë shtetësinë dhe integrimin e Kosovës në organizatat globale, duke mos rreshtur përmes përpjekjeve serbe për enklavizimin e Kosovës.
Përballë këtyre kërcënimeve ekzistenciale, është plotësisht e pafalshme dhe e dënueshme që Tirana zyrtare dhe Prishtina pothuajse nuk kanë asnjë koordinim strategjik kombëtar apo marrëdhënie reale në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe diplomacisë. Samitet e përbashkëta të qeverive dhe nënshkrimet e marrëveshjeve pompoze kanë mbetur thjesht shfaqje propagandistike për konsum elektoral, ndërkohë që në prapaskenë bëhen lëshime të rënda në dëm të sovranitetit, ku pasi Berisha i dha 6 milje detare Greqisë, Rama i shtoi kësaj dhurate edhe 6 milje të tjera e më pas kryeministri i Greqisë do të thoshte në parlamentin grek: “I fituam edhe 6 milje detare”. Kjo mendësi lëshimesh dhe nënshtrimi diplomatik ndaj Athinës shpjegon edhe faktin pse Çështja Çame vazhdon të mbetet një plagë e hapur dhe një krizë kritike e pazgjidhur mes dy vendeve.
Spastrimi etnik dhe tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë është lënë qëllimisht në harresë, ndërsa shteti shqiptar përgjatë këtyre dekadave thuajse nuk ka bërë asgjë në rrafshin diplomatik e ndërkombëtar për të kërkuar drejtësi, kthimin e pronave dhe njohjen e të drejtave legjitime të kësaj popullsie.
Kjo amulli politike i ka hapur rrugë edhe eksperimenteve të rrezikshme identitare, siç është ideja që qarkullon shpesh për krijimin e një “kombi kosovar” krejtësisht inekzistent, një tezë absurde që synon të zbehë lidhjen tonë të pandashme të gjakut, gjuhësore e kulturore, duke tentuar të tjetërsojë shqiptarët e Kosovës nga trungu i tyre i vërtetë etnik.
Mungesa e një zëri të unifikuar në sferën ndërkombëtare dhe tolerimi i këtyre devijimeve gjeopolitike e ka dobësuar ndjeshëm pozicionin tonë duke u lejuar fqinjëve të avancojnë mediatikisht dhe territorialisht me projektet e tyre asimiluese dhe izoluese në dëm të interesave tona kombëtare.
Shqiptarët nuk kanë më luks për adoleshencë politike, për apati sociale mbytëse apo për ndasi të vogla provinciale.
Është koha për të projektuar dhe ndërtuar me vendosmëri një Shqipëri të Re, një shtet ku ligji sundon mbi çdo pushtet dhe ku prioriteti absolut dhe i padiskutueshëm është prosperiteti i kombit tonë.
Në rendin e ri global, relevanca e shqiptarëve nuk do të përcaktohet më nga përmasat tona gjeografike, madhësia territoriale e as nga numri i popullsisë, por nga aftësia ekskluzive për të koordinuar energjinë e rinisë, mendimin e elitarëve dhe fuqinë e jashtëzakonshme lobuese të diasporës sonë globale rreth një agjende të vetme dhe të pathyeshme kombëtare, të ankoruar në aleancën tonë jetike dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm duke ndërtuar institucione të forta e meritokratike dhe duke pastruar sistemin nga korrupsioni ne mund ta kthejmë hapësirën shqiptare në një model zhvillimi, dinjiteti dhe një faktor stabiliteti të pacenueshëm në kuadrin e sigurisë euroatlantike.
Ky orientim perëndimor nuk është një kurs politik i çastit dhe as një status thjesht “kandidati” që pret mëshirë në dyert e Brukselit; ai është një përkatësi organike dhe civilizuese që buron që nga antikiteti. Shqiptarët nuk po kërkojnë të hyjnë në Europë si të huaj, sepse ky është trualli prej ku filloi të dizenjohej vetë Europa, duke i dhënë botës shtyllat e saj më të fuqishme: kodifikimin e ligjit dhe shtetit përmes Perandorit Justinian, si dhe lirinë e besimit e themelet shpirtërore përmes Kostandinit të Madh. Kjo trashëgimi na obligon që të mos sillemi si dëshmitarë periferikë, por si zotërues legjitim të fatit tonë, duke e ringritur kombin shqiptar në lartësinë e historisë së tij.

Banner

Related posts

“Jehona e Malësisë”: Me kontributin tuaj bëheni pjesë e pandarë e çdo proekti për nevojat e Malësisë

Gjyla Halili

REISUL ULEMA PRITI AKTIVISTË TË MIRËNJOHUR NGA ROMANSONI

admin

Bdi: Në vend që ta afrojë, Mickoski po e largon Maqedoninë e Veriut nga Bashkimi Europian

Gjyla Halili