Lajme

Roth: BE-së i mungon interesi strategjik për Ballkanin Perëndimor

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka vlerësuar se Bashkimit Evropian i mungon një interes i qartë strategjik për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se vakuumi i krijuar në rajon është shfrytëzuar nga fuqitë e tjera si Rusia, Kina dhe Turqia.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se BE-ja është e përqendruar kryesisht te lufta në Ukrainë, por kjo duhet të shërbejë si një “zile zgjimi” për t’i kushtuar më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor, shkruan KOHA.

“Ekziston një mungesë e madhe e interesit strategjik për Ballkanin Perëndimor. Kjo zbrazëti politike është mbushur nga kinezët, rusët dhe turqit, dhe ky është një problem i madh për ne”, ka thënë ai.
Sipas Rothit, përgjegjësia për ngecjen e procesit integrues nuk bie vetëm mbi vendet e rajonit, por edhe mbi qendrat vendimmarrëse evropiane si Brukseli, Berlini dhe Parisi, të cilat, sipas tij, nuk kanë arritur të mbajnë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit.

Ai përmendi edhe rastin e Kosovës, duke theksuar se pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa kritikoi mungesën e një strategjie afatgjatë për Bosnjë-Hercegovinën dhe zhvillimet politike në Serbi, të cilën e cilësoi si një shtet me prirje autoritare.

Roth u ndal edhe te rasti i Maqedonisë së Veriut, duke thënë se vendi bëri kompromise të mëdha për t’iu afruar BE-së, përfshirë ndryshimin e emrit, por më pas u përball me kushte të reja nga disa vende anëtare, gjë që, sipas tij, kontribuoi në dobësimin e forcave pro-evropiane dhe forcimin e partive nacionaliste e euroskeptike.

Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian do të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës dhe do të investojë më shumë angazhim politik, financiar dhe diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

Banner

Related posts

Kamioni nga Serbia kapet me 5.000 bokse cigare në kufi me Greqinë, Mustafa: po godasim fuqishëm krimin ndërkufitar

Admin2

VLEN: “One Stop Shop” në Bllacë po jep rezultate konkrete

Admin2

Ali Ahmeti: Asgjë nuk na është dhuruar, çdo e drejtë është fituar me sakrificë

Admin2