Dy futbollistët shqiptarë nga fshati Rramali i komunës së Kumanovës, Avni Sherifi dhe Ramadan Sherifi, po vazhdojnë të lënë gjurmë në futbollin amator gjerman me paraqitjet e tyre të shkëlqyera dhe kontributin e vazhdueshëm për ekipin e tyre, VfB Rheingold Emmerich.
Avniu është 32 vjec. Ai sezonin e kaluar ka luajtur në “Kreisliga B” dhe ka shënuar 30 gola e 10 asiste, duke e kualifikuar ekipin e tij në “Kreisliga A”, ndërsa sivjet realizoi 25 gola dhe 14 asiste, dhe tani janë ngjitur në “Bezirkliga”.
Ndërkohë, Ramadani është 29 vjeç. Ai sezonin e shkuar në “Kreisliga B” shënoi 43 gola dhe pati 8 asiste, ndërsa në këtë edicion shënoi 41 gola dhe 15 asiste.
Vëllezërit Sherifi janë shndërruar në figura kyçe të skuadrës, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar në repartin ofensiv.
Në një nga ndeshjet më spektakolare të sezonit, Ramadan Sherifi realizoi katër gola, ndërsa Avni Sherifi kontribuoi me asistime dhe gol, duke udhëhequr ekipin drejt një fitoreje të rëndësishme.
Karriera e tyre në futbollin gjerman është ndërtuar mbi përkushtim, disiplinë dhe pasion për sportin.
Ata kanë qenë më parë ndër golashënuesit më të mirë të ekipit të tyre edhe në sezonet e kaluara, duke dëshmuar vazhdimësi në formë dhe rendiment.
Ramadan Sherifi aktivizohet kryesisht në mesfushën ofensive dhe njihet për aftësinë e tij për të shënuar dhe krijuar raste për skuadrën.
Historia e Avniut dhe Ramadanit është një shembull frymëzues i suksesit të sportistëve shqiptarë në diasporë, të cilët përmes talentit dhe punës së palodhur po bëhen ambasadorë të denjë të komunitetit shqiptar në Gjermani.

