AKTUALE

Mbi 27 milionë receta për një vit, qytetarët vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe çrregullimet nervore

Banner

Në vitin 2025, struktura e konsumit të barnave në Maqedoninë e Veriut tregon se qytetarët trajtohen më së shumti për sëmundje kronike, ku dominojnë barnat për sistemin kardiovaskular, diabetin dhe çrregullimet metabolike. Më i përdoruri është metformina për diabetin, ndërsa ndër barnat me shpenzime më të larta kryeson rosuvastatina për uljen e yndyrnave në gjak, gjë që tregon se problemet kryesore shëndetësore lidhen kryesisht me sëmundjet e zemrës dhe metabolizmit. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e konsumit i takon barnave për sistemin nervor qendror (SQN), të cilat përfshijnë terapi për depresionin, ankthin, çrregullimet psikike, duke reflektuar edhe rritje të trajtimeve për shëndetin mendor dhe neurologjik, transmeton Portalb.mk.

Në total, gjatë vitit 2025 janë realizuar mbi 27.3 milionë receta në vlerë rreth 3.6 miliardë denarë përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me rritje prej 4,53% në numrin e recetave dhe 9,9% në shpenzime krahasuar me vitin paraprak.

“Konsumi i barnave me recetë në barrë të Fondit përmes barnatoreve shënon rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, në barrë të FSSH-së në barnatoret private (ISHP) janë realizuar gjithsej 27.334.693 receta me vlerë prej 3.597.646.608 denarë. Në krahasim me vitin e kaluar, në vitin 2025 numri i recetave është rritur për rreth 4,53%, ndërsa shuma totale e faturuar është rritur për 9,9%. Krahasimi i konsumit të barnave me recetë sipas numrit të recetave të realizuara sipas muajve për periudhën 2023–2025 është paraqitur në grafikun më poshtë”, thuhet në raportin vjetor të FSSH-së.

Konsumi mesatar për një të siguruar ka arritur në 14,8 receta në vit, me shpenzim mesatar prej 1.953,62 denarësh, ndërsa në të gjitha rajonet është vërejtur rritje e përdorimit të barnave. Rajoni lindor ka nivelin më të lartë të konsumit, ndërsa Pollogu më të ulëtin.

“Konsumi mesatar i barnave sipas numrit të recetave të realizuara për një të siguruar në vitin 2025 është 14,8 receta, që paraqet rritje prej rreth 4,4% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shpenzimi mesatar i faturuar për një të siguruar në nivel të RMV-së në vitin 2025 është 1.953,62 denarë, që paraqet rritje prej rreth 9,87% krahasuar me vitin 2024.

Në vitin 2025, në të gjitha rajonet vërehet rritje e numrit mesatar të recetave të realizuara për një të siguruar krahasuar me vitin 2024. Konsumi më i lartë i barnave sipas numrit të recetave për një të siguruar, si dhe sipas shumës mesatare për një të siguruar, është regjistruar në rajonin lindor me 18,1 receta për të siguruar dhe me shumën mesatare prej 2.309,41 denarë. Konsumi më i ulët është regjistruar në rajonin e Pollogut me 12 receta për të siguruar dhe me shumën mesatare prej 1.549,43 denarë”, theksohet në raport

Në aspektin e grupeve terapeutike, përveç barnave kardiovaskulare që janë në vend të parë, barnat për sistemin e tretjes dhe metabolizmit zënë vend të dytë sipas numrit të recetave, ndërsa barnat për sistemin respirator sipas shpenzimeve. Barnat antiinfektive kanë shënuar rënie prej 6,71%, duke treguar ulje të përdorimit të antibiotikëve dhe barnave të ngjashme.

“Si në vitet e kaluara, edhe në vitin 2025 në vend të parë për nga numri i recetave të realizuara dhe për nga shuma totale e faturuar janë barnat për trajtimin e sëmundjeve të sistemit kardiovaskular. Në vitin 2025 është shënuar rritje e numrit të recetave për këtë grup barnash prej 6,88%, ndërsa shuma totale e faturuar është rritur për rreth 17,9%. Janë realizuar rreth 11,21 milionë receta në vlerë prej 1,01 miliard denarë. Në vend të dytë për nga numri i recetave në vitin 2025 janë barnat që veprojnë në sistemin e tretjes dhe metabolizmit, ndërsa për nga shuma totale e faturuar në vend të dytë janë barnat që veprojnë në sistemin respirator. Barnat për sistemin nervor qendror (SQN) janë në vend të tretë si për nga numri i recetave ashtu edhe për nga shuma totale e faturuar”, thuhet në raport.

Konsumi i barnave antiinfektive (antibiotikë, antimykotikë, antiviralë), të cilat renditen në vend të katërt për nga numri i recetave, në vitin 2025 është ulur për 6,71% krahasuar me vitin 2024.

Barnat më të përdorura në vitin 2025 janë ato me përbërës aktiv “metformin”, me rreth 2,03 milionë receta të realizuara. Ky bar përbën 7,45% të të gjitha recetave të realizuara në vitin 2025. Metformina bën pjesë në grupin e barnave për sistemin e tretjes dhe metabolizmit dhe përdoret për trajtimin e diabetit.

“Në 10 barnat më të përdorura sipas numrit të recetave, përfshihen rreth 45% e të gjitha recetave të realizuara në vitin 2025”, thotë FSSH.

Barnat me përbërës aktiv “rosuvastatin” renditen në vend të parë sipas shumës totale të faturuar, dhe për to në vitin 2025 janë faturuar gjithsej 279,1 milionë denarë, që përbën rreth 7,76% të shumës totale për barna. Ky bar bën pjesë në grupin e barnave kardiologjike që ulin nivelin e yndyrnave në serum.

10 barnat më të shtrenjta sipas shumës totale përbëjnë rreth 40,4% të shpenzimeve totale për barna në vitin 2025.

Related posts

Vankovska nën moton “Po ia kthejmë dinjitetin kombit” e filloi fushatën e saj për presidente

Gjyla Halili

Lladrovci: Krenar që u brumosa me idetë madhështore të Fehmiut për çlirim

Gjyla Halili

Ziberi: Gabim katastrofal nëse shfuqizohet balanseri i punësimeve

Gjyla Halili