
Bilall Kasami sonte në media në Shqipëri deklaroi se çështja e studentëve është “pjesërisht” e zgjidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Jo Bilall, jo pjesërisht, por tërësisht dhe në çdo nivel.
Ligji është i qartë, detyrues dhe nuk lë hapësirë për interpretime politike sipas interesit tuaj të ditës. Nëse ti nuk ke forcë politike apo vullnet për ta zbatuar, kjo nuk do të thotë se e drejta nuk ekziston. Përkundrazi, ligji ka fuqinë e vet detyruese dhe askush nuk ka të drejtë ta relativizojë atë që është detyrim juridik i shtetit.
Manipulon kur thua se “një ligj e njeh të drejtën e studentëve, ndërsa një ligj tjetër jo”, duke aluduar në ligjin për provimin e jurisprudencës. Kjo është sërish e pavërtetë. Ligji për Gjuhët është lex specialis dhe prevalon në këtë çështje.
Edhe më shqetësues është pretendimi yt për “ndryshime të reja ligjore për harmonizim”. Kjo nuk është zgjidhje, kjo është kapitulim politik para moszbatimit të ligjit, si dhe dëshirës dhe aspiratave të partnerit qeveritar.
Kur një ligj special garanton një të drejtë, nuk negociohet zbatimi i saj me “harmonizime” të pafundme, sepse kështu e shndërroni të drejtën në favor politik që mund të jepet ose merret sipas qejfit të pushtetit. Kjo logjikë vetëm e dobëson pozitën juridike të gjuhës shqipe dhe hap rrugë për relativizim edhe më të madh nesër.
Për çfarë dakordësie me Kryeministrin flet kur ligji është obligativ? Që nga kur kërkohet leje politike për zbatimin e ligjit, madje edhe nga kryeministri? A duhet negociatë për diçka që shteti e ka për detyrim ta zbatojë? Të flasësh për “modalitete zgjidhjeje” aty ku ekziston normë e qartë juridike nuk është kompromis, është tallje me qytetarët, me studentët dhe me vetë konceptin e shtetit.
Askush nuk pret prej jush mrekulli politike se nuk keni kapacitet këtë e din të gjithë, por të paktën mos e devalvoni një nga të arriturat më të rëndësishme politike dhe juridike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Të drejtat nuk mbrohen duke i relativizuar, por mbrohen duke i zbatuar.
Thoni se të drejtat janë fituar nga kryengritja e vitit 2001, por tani duhet “vullnet politik” për t’i zbatuar. Çfarë nënkupton kjo? Se ligjet vlejnë vetëm kur dikush është në vullnet t’i zbatojë? Se të drejtat e shqiptarëve janë me afat, me kushte dhe me negociata të përhershme? Shteti juridik nuk funksionon me vullnet individual apo pazare politike, por me detyrime ligjore.
Kur thua se debati do të kthehet në institucione dhe në Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për të diskutuar “modalitetet e zgjidhjes”, kjo është zvarritje e qëllimshme dhe ikje nga përgjegjësia. Studentët nuk kanë dalë në protestë për të hapur debate të reja politike, por për të kërkuar zbatim të një të drejte ekzistuese. Ata nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e ligjit.
E vërteta është se organizatorë të protestës janë vetë studentët, jo partitë politike. Dhe kjo është pikërisht ajo që ju frikëson: një revoltë autentike qytetare që nuk kontrollohet nga askush. Në protestë morën pjesë përfaqësues nga pothuajse të gjitha partitë në vend, përveç VLEN-it, Stoillkoviqit, Fillkovit dhe partnerëve të tyre politikë.
Ndërkohë, përballë Fillkovit që hapur pengon përdorimin e gjuhës shqipe, zbulohet tërësisht pafuqia juaj politike. Sa herë dilni para opinionit duke pretenduar se “është gjetur zgjidhje”, pikërisht Fillkovi ju demaskon publikisht. Njëri premton, tjetri mohon. Njëri deklaron sukses, tjetri bllokon. Ky nuk është koordinim qeverisës, kjo është poshtërim politik publik.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur Bilall Kasami kritikon përfaqësuesit e shtetit shqiptar, ndërsa vetë si pjesë e qeverisë pret me nderime Millorad Dodikun, i mundëson Vuçiqit organizime partiake në Maqedoni dhe lejon depërtimin e agjendës së “botës serbe” në çdo pore institucionale. Është paradoksale të sulmosh Tiranën, ndërsa hesht para politikave që relativizojnë interesin shqiptar brenda vetë shtetit.
Turp është pak për ta përshkruar këtë qasje. Kjo nuk është mbrojtje e të drejtave të shqiptarëve, kjo është nënshtrim politik ndaj atyre që çdo ditë e kontestojnë gjuhën shqipe .
