
Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Këshillin e Prokurorëve Publikë me 64 vota “për” dhe 15 “kundër”, duke hapur rrugën për reforma të reja në sistemin e drejtësisë.
Ligji është harmonizuar me direktivat evropiane dhe synon forcimin e pavarësisë, transparencës dhe profesionalizmit të Këshillit.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit do të reformohet tërësisht, me kritere më të rrepta për profesionalizëm dhe integritet.
Ndryshimet e reja parashohin që çdo vendim për zgjedhjen, avancimin apo masat disiplinore ndaj prokurorëve të jetë i arsyetuar në mënyrë të detajuar.
Këshilli do të ketë kompetenca më të mëdha edhe në zgjedhjen dhe shkarkimin e prokurorit publik shtetëror.
Sipas ligjit, Këshilli do të mund t’i dorëzojë Kuvendit iniciativë për shkarkimin e prokurorit shtetëror.
Gjithashtu, vendoset procedurë disiplinore me dy shkallë, ku Këshilli do të veprojë si organ i shkallës së dytë dhe do të lejohet mbrojtje gjyqësore për vendimet e tij.
Ligji parasheh edhe nivel më të lartë transparence përmes transmetimeve të drejtpërdrejta të seancave dhe publikimit të detyrueshëm të raporteve dhe vendimeve.
