
Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, mori pjesë në Konferencën XX të kryetarëve dhe kryesuesve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila u mbajt më 23 dhe 24 prill në Shkup.
Konferenca u hap dhe u drejtua nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ndërsa fokusi kryesor ishte forcimi i paqes dhe stabilitetit përmes diplomacisë parlamentare, si dhe avancimi i ndërlidhjes rajonale përmes projekteve infrastrukturore.
Gjatë fjalës së tij, Camaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet parlamenteve si faktor kyç për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. Ai nënvizoi se Mali i Zi mbështet fuqishëm diplomacinë parlamentare si instrument për ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe përballimin e sfidave globale.
“Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Dallimet në rajon duhet të shihen si pasuri dhe bazë për ndërtimin e shoqërive stabile dhe gjithëpërfshirëse,” theksoi Camaj.
Ai rikujtoi se vendet kandidate duhet të intensifikojnë reformat, duke respektuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke vënë në pah rolin e parlamenteve në këtë proces.
Në fjalën e tij, Camaj përmendi edhe zhvillimet pozitive në rrugën evropiane të Malit të Zi, duke veçuar vendimin e Bashkimit Evropian për formimin e grupit punues për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit, si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të negociatave.
Një theks i veçantë gjatë konferencës iu kushtua projekteve infrastrukturore rajonale, përfshirë Korridoret VIII dhe X, si dhe iniciativës për autostradën Adriatiko-Joniane, të cilat konsiderohen kyçe për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e rajonit me tregun e Bashkimit Evropian.
Në përfundim të konferencës, pjesëmarrësit miratuan një deklaratë të përbashkët, duke konfirmuar përkushtimin për forcimin e paqes, stabilitetit, bashkëpunimit parlamentar dhe avancimin e ndërlidhjes rajonale, si dhe mbështetjen për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ja postimi plotë:
Me një pritje madhështore në Etno Fshatin e Maqedonisë, ku mbrëmë vizituam edhe manastirin më të vjetër të krejt rajonit, përfunduam Konferencën XX të kryetarëve/kryesuesve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, mbajtur në Shkup, më 23 dhe 24 prill 2026.
Konferencën e hapi dhe e drejtoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi.
Gjatë konferencës, e cila iu kushtua forcimit të paqes dhe stabilitetit përmes diplomacisë parlamentare, si dhe përmirësimit të ndërlidhjes rajonale përmes projekteve infrastrukturore, potencova rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet parlamenteve si faktor kyç për stabilitetin e rajonit.
Po ashtu theksova se Mali i Zi mbështet fuqishëm diplomacinë parlamentare si një instrument të rëndësishëm për forcimin e besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit në rajonin Adriatiko-Jonian, veçanërisht në kontekstin e sfidave globale bashkëkohore, duke përcjell mesazhin se i gjithë Ballkani duhet të pranojë dallimet si pasuri dhe si themel për ndërtimin e shoqërive stabile dhe gjithëpërfshirëse. Këtu edhe përsërita mesazhin e përhershëm se dallimet, qofshin kombëtare, gjuhësore, fetare apo edhe politike, nuk guxojnë të na ndajnë, nëse mendojmë në ardhmërinë, gjë që duhet të jetë borxhi ynë. Në këtë drejtim u rikujtova se vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet t’u mbeten të përkushtuara vlerave evropiane, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë parlamentet për forcimin e dialogut politik dhe zbatimin e reformave. Po ashtu veçova edhe hapin e fundit në procesin e integrimeve evropiane, vendimin e Bashkimit Evropian për formimin grupit punes për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi, që paraqet një hap të rëndësishëm drejt fazës përfundimtare të negociatave dhe një konfirmim të progresit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Gjithsesi, theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së ndërlidhjes rajonale dhe projekteve infrastrukturore, përfshirë Korridoret VIII dhe X, të cilat Mali i Zi i mbështet fuqishëm, për shkak të rëndësisë së tyre më të gjerë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e rajonit me tregun e Bashkimit Evropian, por duke mbeshtur, si nevojë të Malit të Zi dhe rajonit, edhrme atë që ishte propozim i përfaqësuesit kroat, autostrada Adriatiko-Joniane.
Në fund të konferencës u miratua një deklaratë e përbashkët me të cilën pjesëmarrësit konfirmuan përkushtimin për forcimin e paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimin parlamentar, si edhe zhvillimin e mëtejshëm të ndërlidhjes rajonale, veçanërisht përmes realizimit të korridoreve kyçe, gjithnjë duke mbështetur zgjerimin e BE-së.














