
-Akad. Gjinushi: Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka prioritet strategjik tërheqjen e studiuesve shqiptarë të diasporës –
#AShSh
#Këshilliidiasporës
#Takim
Më 16 prill 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u prit në takim nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës z. Lazim Destani, së bashku me anëtarët e tjerë të këshillit. Ky takim kishte për qëllim njohjen dhe krijimin e urave të bashkëpunimit me komunitetin shkencor dhe intelektual shqiptar jashtë vendit përmes Këshillit Koordinues të Diasporës dhe rolit që mund të luajë Akademia e Shkencave në këtë drejtim.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e përfaqësuesve të Këshillit Koordinues të Diasporës dhe theksoi se zgjerimi i bashkëpunimit me diasporën shkencore mbetet një nga prioritetet strategjike të institucionit. Më tej, ai u shpreh se qëllimi i Akademisë është hapja e saj, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, duke pasur parasysh potencialin ne rritje dhe kushtet e reja që mundësojnë bashkëpunimin në distancë.
Ai nënvizoi se reformimi i Akademisë së Shkencave ndër vite, ka mundësuar ngritjen e strukturave të reja pranë ASHSH-së si komisionet e përhershme, njësitë kërkimore e institutet virtuale pranë të cilave janë të atashuar si bashkëpuntorë, anëtarë e deri drejtues mbi 110 specialistë e kërkues nga diaspora.
Këto përbëjnë një mundësi të rëndësishme për shfrytëzimin e potencialit që ndodhet jashtë vendit. Akad. Gjinushi theksoi se, në fakt, ka më shumë kërkues shqiptarë jashtë vendit sesa brenda tij dhe kërkoi mbështetje e bashkëveprim për të krijuar kushte reale bashkëpunimi siç janë nevoja për ngritjen e qendrave të reja kërkimore në përputhje me kërkesat e kohës, siç është transformimi i NanoAlb në një qendër rajonale. Ai sqaroi se kjo qendër model drejtohet nga një përfaqësues i diasporës dhe ka shumë bashkëpunëtorë nga diaspora përveç atyre në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Për të njëjtin qëllim duhen mbështetur nismat për fuqizimin e qendrës së biogjenetikës, e të njësive të përkohshme të ngritura në fushat e energjisë, ujërave dhe inteligjencës artificiale.
Në takim u theksua edhe angazhimi e bashkëpunimi në realizimin e tri projekteve madhore: “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” dhe “Historia e shqiptarëve”, inisiativa te ndërmarra me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Akad. Gjinushi u shpreh se nga publikimi e deri më tani, fjalori numëron mbi 10 milion klikime, ndërsa për sa i përket enciklopedisë, puna ndodhet në fazën e hartimit të fjalësit, ku një ndër më të diskutuarit ka qenë ai i diasporës.
Nga ana e tij, z. Lazim Destani vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional dhe nënvizoi nisma në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kombëtare, përfshirë përpjekjet për identifikimin dhe mbrojtjen e objekteve me vlera historike, si ndërtesa ku u mbajt Kongresi i Manastirit, e njohur ndryshe si “Shtëpia e Alfabetit”.
Në takim u diskutuan mundësitë për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet Akademisë dhe studiuesve shqiptarë që kontribuojnë në universitete dhe qendra kërkimore ndërkombëtare. U theksua rëndësia e përfshirjes së diasporës në projekte kërkimore afatshkurtra dhe afatgjata, si dhe nxitja e botimeve të përbashkëta në revista shkencore ndërkombëtare.
Në përfundim, palët shprehën gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit përmes nismave konkrete dhe projekteve të përbashkëta, duke e konsideruar diasporën si një aset të rëndësishëm për zhvillimin e shkencës dhe reformimin e sistemit kërkimor në Shqipëri.
www.akad.gov.al



