
Çështjet që lidhen me rolin e diasporës në forcimin e demokracisë përfaqësuese, si dhe zhvillimi i sektorëve kyç si shëndetësia, biznesi, arsimi, gjuha, libri, digjitalizimi… do të jenë në fokus të Samitit të Katërt të Diasporës Shqiptare, i cili do të mbahet nga 13 deri më 15 prill në Tirana, nën përkujdesjen e Qeveria e Shqipërisë dhe Kuvendi i Shqipërisë ndërsa moto për këtë vit ka zgjedhur “Përmes rrënjëve lartësohemi”, shkruan gazeta KOHA.
Në kuadër të këtij Samiti, një nga panelet kryesore, nën kujdesin e Qeverisë dhe Parlamentit shqiptar, do t’i kushtohet rolit në rritje të diasporës shqiptare në proceset demokratike dhe politike në vendin e origjinës. Diskutimet pritet të fokusohen në sfidat dhe mundësitë e përfshirjes së qytetarëve jashtë territorit në zgjedhje, duke analizuar mekanizmat e votimit nga jashtë dhe nevojën për të kaluar nga një pjesëmarrje simbolike drejt një përfaqësimi më të strukturuar dhe institucional të diasporës.
Përmes perspektivave të ndryshme, synohet të hapet një debat më i gjerë mbi mënyrat konkrete se si diaspora mund të kontribuojë në forcimin e demokracisë, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e qeverisjes në hapësirën shqiptare.
Përveç dimensionit politik, Samiti do të trajtojë edhe tema të tjera me rëndësi strategjike, si zhvillimi i biznesit dhe inovacionit, sistemi shëndetësor, arsimi dhe mësimi digjital, si dhe ruajtja dhe promovimi i gjuhës shqipe në diasporë. Në fokus do të jenë gjithashtu zhvillimi lokal dhe rajonal, si dhe roli i diasporës në mbështetjen e këtyre proceseve.
Samitin do ta hapin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Sipas organizatorëve, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar mbi 500 pjesëmarrës, përfshirë politikanë, biznesmenë dhe figura të njohura të diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës.
Nga Maqedonia e Veriut, në këtë Samit do të marrin pjesë disa personalitete të rëndësishme politike, akademike dhe shoqërore. Ndër folësit e paralajmëruar janë kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, si dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe në universitete, Mevlan Ademi, duke reflektuar rëndësinë që çështjet e gjuhës dhe arsimit po marrin në agjendën e debatit publik, raporton KOHA.
Samiti i këtij viti pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe diasporës, si dhe për artikulimin e politikave më gjithëpërfshirëse që synojnë forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që ndodhen. (koha.mk)
