Më 25 dhe 26 nëntor, në Tiranë u zhvillua Konferenca e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, me moton “Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane”. Aktiviteti mblodhi në Pallatin e Kongreseve përfaqësues të institucioneve europiane, politikës, biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë nga vendet e rajonit.
I pranishëm në këtë forum ishte edhe filantropi dhe biznesmeni shqiptar Lazim Destani, i cili ndau përmes një postimi në rrjetet sociale përshtypjet e tij nga pjesëmarrja në këtë konferencë.
Konferenca kishte në fokus promovimin e potencialit ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimin e mundësive konkrete për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare. Gjatë dy ditëve të punimeve u diskutuan zhvillimi ekonomik i rajonit, rritja e investimeve dhe shfrytëzimi i fondeve të Bashkimit Europian për të mbështetur sipërmarrjen dhe projektet e reja.
Një nga të ftuarat kryesore ishte Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, pjesëmarrja e së cilës dëshmoi vëmendjen e institucioneve europiane ndaj procesit të integrimit dhe perspektivës ekonomike të vendeve të rajonit.
Në postimin e tij, Destani veçoi takimet me të rinj dhe të reja që kanë ndërtuar startup-e të suksesshme falë mbështetjes së fondeve europiane, si dhe shkëmbimet me përfaqësues të politikës dhe diplomacisë europiane.
Ai e cilësoi pjesëmarrjen në këtë forum si një përvojë me vlerë, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në ide, sipërmarrje dhe bashkëpunime për krijimin e mundësive të reja dhe zhvillimin e ardhshëm të rajonit.



