
Kryetari i degës së Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetovë, Bajram Rexhepi, organizoi Kuvendin zgjedhor të nëndegës në Shipkovicë, ku u diskutua për organizimin dhe forcimin e strukturave partiake në këtë zonë.
Në një atmosferë mobilizuese dhe me pjesëmarrje të gjerë të aktivistëve, Rexhepi theksoi rëndësinë e angazhimit të strukturave lokale dhe të rinisë në proceset vendimmarrëse, duke vlerësuar kontributin e vazhdueshëm të Shipkovicës në rrugëtimin politik të subjektit.
Gjatë këtij kuvendi, për kryetar të ri të nëndegës u zgjodh Abdulla Halili, i cili u vlerësua si një kuadër i ri me energji dhe potencial për të udhëhequr strukturën në periudhën e ardhshme.
Rexhepi theksoi se përforcimi i degëve dhe përfshirja e gjeneratave të reja mbetet prioritet për Bashkimi Demokratik për Integrim, duke shtuar se vetëm përmes unitetit dhe angazhimit të përbashkët mund të arrihen objektivat strategjike të partisë.
Ja postimi plotë:
Shipkovica ♥️ zemra e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Sonte vazhduam në Shipkovicë, vendbanimin e malësisë së Tetovës ku nisi rrugëtimi i barazisë shoqërore dhe politike të shqiptarëve.
Në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe në prani të shumë aktivistëve, mbajtëm Kuvendin zgjedhor të kësaj nëndege. Kryetar i ri u zgjodh Abdulla Halili, sipërmarrës i ri, djalosh me elan dhe energji, i rritur në një familje me taban dhe vlera të forta patriotike.
Shipkovica ka qenë dhe mbetet simbol i qëndresës, sakrificës dhe i fillimeve tona. Dhe pikërisht nga ky vend, ne po rinisim me shumë forcë dhe me shumë besim një vizion të ri për të ardhmen.
Shtëpia ndërtohet mbi themele të forta, dhe ne po i vendosim ato sot, duke ndërtuar një BDI më të fuqishme dhe më të hapur për të gjithë. Një familje politike ku energjia e të rinjve bashkohet me përvojën, ku çdo kontribut ka vlerë dhe ku zëri i secilit jo vetëm dëgjohet, por bëhet pjesë e vendimmarrjes.


