
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje të fuqishme për protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare.
Në reagimin e tij publik, Ahmeti deklaroi se lufta për liri ka qenë “e drejtë, e pastër dhe e mbështetur mbi sakrificën sublime të dëshmorëve”, si dhe mbi kontributin e brezave të tërë që, sipas tij, nuk kursyen asgjë për dinjitetin kombëtar.
Ai u shpreh kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e kësaj të vërtete, duke theksuar se historia e luftës nuk duhet dhe nuk mund të vihet në dyshim.
Ahmeti u bëri thirrje bashkëluftëtarëve, familjarëve të dëshmorëve dhe të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës para Kuvendit të Kosovës, në mbrojtje të sakrificës dhe historisë kombëtare.
“Vetëm të bashkuar mund ta ruajmë të vërtetën dhe ta forcojmë të ardhmen tonë”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, ai shprehu nderim për dëshmorët, duke theksuar mirënjohjen e përjetshme për luftën çlirimtare.
Ja postimi plotë:
Lufta jonë për liri ishte e drejtë, e pastër dhe e mbështetur mbi sakrificën sublime të dëshmorëve dhe kontributin e brezave të tërë që nuk kursyen asgjë për dinjitetin kombëtar.
Andaj, e mbështes fuqishëm protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës së Luftës Çlirimtare.
E vërteta e saj nuk mund dhe nuk duhet të vihet në dyshim nga askush.
Ftoj bashkëluftëtarët, familjarët e të rënëve dhe gjithë qytetarët që ti bashkangjiten protestës, para Kuvendit të Kosovës, në mbrojtje të kësaj sakrifice dhe të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të historisë sonë.
Vetëm të bashkuar mund ta ruajmë të vërtetën dhe ta forcojmë të ardhmen tonë.
Lavdi dëshmorëve dhe përjetë mirënjohje për luftën tonë çlirimtare!
