
Në bashkëpunim ndërmjet Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë dhe TİKA-s, gjatë muajit të Ramazanit organizohen iftare në Tetovë dhe Shtip, ku besimtarët myslimanë mblidhen së bashku në frymën e solidaritetit dhe vëllazërisë.
Në këtë kuadër, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir Fetai priti në një takim zyrtar Drejtorin Rajonal të Bursës të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, Dr. Haluk Yıldız. Gjatë takimit, Reisul Ulema Fetai theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla gjatë muajit të Ramazanit, i cili shërben si një mundësi e veçantë për forcimin e solidaritetit shoqëror, duke nënvizuar se bashkëpunimi institucional do të vazhdojë dhe do të thellohet edhe më tej. Në fund të vizitës, palët shkëmbyen dhurata simbolike.
Në vazhdim, delegacioni vizitoi qytetin e Tetovës, ku po realizohet organizimi i iftarit për 200 persona çdo ditë. Në objektin e Myftinisë së Tetovës, Myftiu Dr. Selver Xhemaili e priti Dr. Haluk Yıldız në një takim të përzemërt. Pas takimit, z. Haluk vizitoi monumentet e rëndësishme historike të qytetit, si Xhamia e Larme dhe Arabati Baba Teqe.
Para iftarit u zhvilluan mbikqyrje të organizimit të mbajtur në objektin e Shërbimeve Sociale të Myftinisë, ndërsa më pas u shtrua iftari i përbashkët.
Në kuadër të vizitave, ditën e nesërme (e martë) u realizua vizitë në Myftininë e Shtipit. Delegacioni u prit nga Myftiu Nasir Rexhepi, ndërsa iftari u organizua në fshatin Mahalla e Epërme (Yeni Mahalle) të Strumicës. Në iftar morën pjesë rreth 150 persona. Disa nga mysafirët, të veshur me veshje tradicionale të turqve jorukë, i dhanë iftarit një bukuri dhe atmosferë të veçantë.
Dr. Haluk Yıldızin gjatë vizitës e shoqëruan përgjegjësi për Republikën e Turqisë pranë BFI-së së RMV-së, Dr. Furkan Shaban, si dhe Doç. Dr. Mümin Ömer.
Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në realizimin e këtyre veprave të mira gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.




