
KËRÇOVË – BDI Dega Kërçovë ka reaguar ndaj deklaratave të Kryetarit të Komunës lidhur me çështjen e deponisë, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe si përpjekje për shmangie të përgjegjësisë institucionale.
Nga kjo parti theksojnë se Ministria e Ekologjisë ka kompetencë vetëm për deponitë rajonale dhe jo për lokacionet komunale të shkarkim-ngarkimit të mbeturinave (transfer stacione).
Sipas reagimit, lokacioni për deponinë rajonale tashmë është i përcaktuar në Novaci, në rajonin e Manastirit, dhe çdo vendim i Ministrisë për lokacion ka të bëjë ekskluzivisht me deponi rajonale, jo me pika komunale.
“Ajo për të cilën flet Kryetari nuk është deponi rajonale, por lokacion për shkarkim-ngarkim, që është kompetencë ekskluzive e Komunës”, thuhet në reagim.
Nga BDI – Dega Kërçovë sqarojnë se Ministria nuk cakton pika ngarkim-shkarkimi, pasi nuk menaxhon mbeturinat komunale. Sipas tyre, menaxhimi i mbeturinave është përgjegjësi e Ndërmarrjes Publike Komunale, ndërsa kompetencat janë të përcaktuara qartë me ligj dhe nuk mund të “bartën” përmes deklaratave politike.
BDI – Dega Kërçovë thekson se nuk do të lejojë, siç shprehen ata, manipulimin e opinionit publik përmes konfuzionit terminologjik, duke shtuar se përgjegjësia për vendimmarrje është e qartë dhe se qytetarët e dinë se kush duhet të vendosë dhe të përgjigjet për këtë çështje.
Ja postimi i plotë:
REAGIM – BDI Dega Kërçovë
Deklaratat e Kryetarit të Komunës lidhur me çështjen e deponisë dhe “gjetjen e lokacionit nga Ministria” janë jo vetëm të pasakta, por edhe tentativë e qartë për t’iu shmangur përgjegjësisë komunale.
Le ta sqarojmë për qytetarët:
• Ministria e Ekologjisë ka kompetencë për deponitë rajonale.
• Lokacioni për deponinë rajonale tashmë është i përcaktuar në Novaci, në rajonin e Manastirit.
• Në momentin që Ministria cakton lokacion, ai është lokacion për deponi rajonale, jo për pikë komunale shkarkim-ngarkimi.
Ndërsa ajo për të cilën flet Kryetari nuk është deponi rajonale, por lokacion për shkarkim-ngarkim (transfer stacion) dhe kjo është kompetencë ekskluzive komunale.
Ministria nuk cakton pika ngarkim-shkarkimi, sepse:
• Ministria nuk menaxhon mbeturinat komunale.
• Menaxhimin e mbeturinave e bën Ndërmarrja Publike Komunale
Pra, kompetenca nuk mund të “bartet” me deklarata politike. Ajo është e përcaktuar me ligj.
Nëse Kryetari thotë “le t’i marr Ministria kompetencat”, kjo është thjesht një formulë për të shmangur vendimmarrjen dhe për të mos marrë përgjegjësinë që i takon Komunës.
BDI – Dega Kërçovë nuk do të lejojë që me konfuzion terminologjik të manipulohet opinioni publik.
Përgjegjësia është e qartë.
Dhe qytetarët e dinë kush duhet të vendosë dhe kush duhet të përgjigjet.
