AKTUALE

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mobilizon shqiptaro-amerikanët për protestë në Uashington: “Drejtësi për UÇK-në

Banner

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” ka publikuar një apel drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan, duke kërkuar organizimin e një proteste paqësore në Uashington në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procese gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në deklaratën e nënshkruar nga kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, theksohet se proceset gjyqësore aktuale “rrezikojnë të njollosin një luftë të drejtë” dhe përbëjnë, sipas tij, një padrejtësi ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Ne nuk mund të heshtim përballë kësaj padrejtësie”, thuhet në apel, ku kërkohet mobilizimi i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara për një protestë me moton: “Drejtësi për luftën çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit e UÇK-së”.

VATRA u drejtohet Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Senatit dhe Kongresit Amerikan, si dhe institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë dhe opinionit publik amerikan, duke theksuar aleancën historike mes shqiptarëve dhe SHBA-së në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

Në deklaratë përmendet edhe ndërhyrja e NATO-s më 24 mars 1999, e cilësuar si “akt i madh i drejtësisë historike”, duke kërkuar që “ajo frymë drejtësie të mos shuhet”.

Sipas organizatës, protesta synon mbrojtjen e “të vërtetës historike dhe dinjitetit të një populli”. Data dhe detajet e organizimit të protestës do të bëhen publike në ditët në vijim.

Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” është një nga organizatat më të vjetra të diasporës shqiptare në SHBA, e themeluar në fillim të shekullit XX, me rol të rëndësishëm historik në çështjet kombëtare shqiptare.

Ja postimi i plotë:

VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

Të dashur bashkatdhetarë,
Vëllezër e motra të komunitetit shqiptaro-amerikan,

Nisur nga përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe pavarësi, e në veçanti nga lufta titanike dhe heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ndodhemi përballë një momenti të rëndë historik dhe moral. Një padrejtësi e madhe po u bëhet liderëve të UÇK-së dhe, nëpërmjet tyre, vetë luftës çlirimtare të popullit tonë.

Proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, në formën dhe frymën e tyre aktuale, rrezikojnë të njollosin një luftë të drejtë, një sakrificë sublime dhe një popull që luftoi për mbijetesë, liri dhe pavarësi përballë një regjimi gjenocidal.

Ne nuk mund të heshtim përballë kësaj padrejtësie.

Prandaj, Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” u bën thirrje të gjithë shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të bashkohen në një protestë paqësore në Uashington, me një mesazh të qartë dhe dinjitoz:

“Drejtësi për luftën çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit e UÇK-së”

Në këtë apel ne i drejtohemi:

Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump,

Senatit dhe Kongresit Amerikan,

Institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare si dhe opinionit publik amerikan, duke u kujtuar se populli shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten aleatë të përhershëm në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Ne themi qartë:

Mos lejoni që, përmes proceseve të montuara gjyqësore, të fyhet gjaku i derdhur për liri.
Mos lejoni që të poshtërohen dëshmorët e kombit tonë.
Mos e barazoni kurrë viktimën me xhelatin.
Mos i mbyllni sytë përballë një regjimi që vrau, masakroi, dhunoi dhe shkatërroi në përmasa gjenocidiale.

Më 24 mars 1999, me vendosmërinë e Amerikës dhe të NATO-s, filluan bombardimet kundër atij regjimi kriminal dhe u shpëtua një popull i tërë nga shfarosja. Ky ishte një akt i madh i drejtësisë historike. Sot kërkojmë që ajo frymë drejtësie të mos shuhet.

Ne kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi dhe populli më mik i shqiptarëve që të ndikojnë për të parandaluar këtë padrejtësi të madhe, e cila na fyen nderin, gjakun e derdhur dhe moralin tonë kombëtar.

Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, për mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe nderit kombëtar;
Ishte luftë për mbijetesë, jo për hakmarrje;
Ishte luftë për paqe e liri, dhe mbrojtje të substances kombëtare.

Prandaj sot ngrihemi për të mbrojtur të vërtetën historike dhe dinjitetin e një populli.

Data dhe detajet e protestës do të njoftohen në kohë.

Me respekt dhe përgjegjësi kombëtare,
I ftoj të gjithë shqiptarët në Amerikë që të jenë pjesë e kësaj thirrjeje për drejtësi.

Liri për Çlirimtarët.
Drejtësi për Kosovën.

Dr. Elmi Berisha
Kryetar,
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”

Banner

Related posts

Fillon fushata zgjedhore, Antikorrupsioni: Ndalohet ryshfeti dhe presioni ndaj votuesve

Gjyla Halili

Besnik Berisha është kryetar i ri i Odës së Avokatëve të Kosovës

Gjyla Halili

Mickoski: Me ose pa Taravarin Qeveria është stabile dhe me shumicë të madhe

Gjyla Halili