AKTUALE

U mbajt finalja e Kuizit Tradicional “Yjet e Mektebeve” në Tetovë

Banner

Mbrëmë, në ambientet e Objektit për Shërbime Fetare dhe Sociale pranë Myftinisë së BFI-së në Tetovë, u mbajt finalja e kuizit tradicional “Yjet e Mektebeve”, në një atmosferë të bukur vëllazërore dhe ramazanore.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë Myftiu i Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, së bashku me operativën e Myftinisë, drejtori i Medresesë “Isa Beu” – Paralelja e Vajzave në Tetovë, Dr. Beqir ef. Memeti, ish-drejtori i Medresesë Prof. Bari ef. Alija, mysafirë nga Shqipëria dhe Turqia, profesorë, hoxhallarë, familjarë të garuesve si dhe shumë besimtarë që mbushën sallën.

Programi filloi me lexim të Kur’anit nga hafiz Besir ef. Limani, imam i Xhamisë së Madhe në Çellopek, ndërsa më pas Myftiu i Tetovës përshëndeti të pranishmit dhe u uroi suksese garuesve në këtë garë të dijes.

Për zbukurimin e kësaj nate u përkujdesën me ilahi nxënësit e Xhamisë së Madhe të udhëhequr nga mualimja Sanida Hismani Dauti dhe nxënësit e mektebit të fshatit Pirok të udhëhequr nga mualimi Jetmir Haliti, të cilët i dhanë një atmosferë të veçantë dhe ëmbëlsi kësaj mbrëmjeje ramazanore.

Në finalen e kuizit katër garues matën njohuritë e tyre, ndërsa rezultatet përfundimtare ishin:
Vendi i parë: Flamur Useini – nga mektebi i Xhamisë së Epërme në Zhelinë
Vendi i dytë: Alivebi Havzija – nga mektebi i xhamisë së fshatit Pirok
Vendi i tretë: Vesa Memeti – nga mektebi i Xhamisë së Madhe në Tearcë
Vendi i katërt: Ariana Odai – nga mektebi i Xhamisë Qendrore në Pallçisht

Të gjithë nxënësit pjesëmarrës u shpërblyen me mirënjohje dhe komplet librash, ndërsa për mualimët finalistë u ndanë mirënjohje dhe dhurata (hedije).

Fituesit u shpërblyen gjithashtu me çmime të veçanta:
Vendi i parë: mirënjohje, komplet librash dhe laptop,
Vendi i dytë: mirënjohje, komplet librash dhe telefon,
Vendi i tretë: mirënjohje, komplet librash dhe tablet,
Vendi i katërt: mirënjohje, komplet librash dhe smartwatch.

Falënderime të veçanta iu drejtuan komisionit vlerësues, i përbërë nga hoxhallarët: Muhamed Ismaili, Bajram Xhezairi, Besim Memedi dhe Luftim Deari, për korrektësinë dhe përkushtimin gjatë gjithë procesit të vlerësimit. Gjithashtu, moderatori Sajmir Xheladini u nderua me mirënjohje për moderimin e shkëlqyer gjatë pesë netëve të kuizit. Në fund, me një mirënjohje të veçantë u falënderua edhe kompania RENOVA, e cila ishte sponsor dhe mbështetëse e këtij aktiviteti.

Mirënjohje të veçantë meriton edhe bartësi i këtij organizimi, Hfz. Resi ef. Dauti, kontabilist pranë Myftinisë së Tetovës, i cili së bashku me operativën e Myftinisë u kujdes për realizimin teknik dhe organizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti.

Falemnderojmë Myftiun e Tetovës, Dr. Selver ef. Xhemaili, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj këtij organizimi, i cili synon të nxisë dhe të rrisë edhe më tej nivelin e dijes fetare tek nxënësit e mektebeve në të ardhmen.

Banner

Related posts

ZGJEDHJET 2024/ Siljanovska-Davkova: Në statusin president nevojiten reforma të mëdha dhe të thella, është koha për një dimension i gruas në politikë

Gjyla Halili

Fronti n’shesh të Tetovës, Xhaferi: Pa Frontin Europian nuk ka qeveri! Ne kemi besimin dhe bekimin e këtij populli…

Gjyla Halili

Takimi me rininë/ Fatmir Dehari: Besimi në rini është besim në të ardhmen, do vazhdojmë bashkë ndërtimin e Kërçovës

Gjyla Halili