AKTUALE

VLEN do të shndërrohet në parti politike, je emri i ri

Përzgjedhja e liderit në VLEN është njëra nga pikat më të rëndësishme në procesin e shndërrimit të këtij koalicioni në një subjekt politik. Sa po kalon koha, duket se opsioni më i mundshëm është që kryetari të zgjidhet me rotacion çdo vit.

“Një ndër opsionet që më së shumti po diskutohet është koncepti i rotacionit”, tha Bilall Kasami.

“Mendoj që duhet të jetë një model inkluziv. Po bisedohen rotacioni, bashkëkryetar.”, deklaroi Izet Mexhiti.

TV21 e ka parë draft-planin se si parashihet që Koalicioni VLEN të shndërrohet në një parti të vetme politike me emrin Unioni Demokratik Shqiptar VLEN, e cila do të regjistrohet si organizatë politike në Regjistrin Qendror.
TV21 mëson se ky draft është shkruar nga Zeqirija Ibrahimi në baza të disa mbledhjeve që janë mbajtur brenda VLEN-it, ndërsa në dy prej tyre i pranishëm ka qenë edhe kryetari i VV Albin Kurti.
Dokumenti të cilin e pa TV21 parashikon që organi më i lartë do të jetë Kongresi, i përbërë nga 500 anëtarë, ku katër partitë themeluese do të kenë nga 150 delegatë secila, ndërsa VV dhe Arbëria nga 50 delegatë. Kongresi do të ketë kompetencë për zgjedhjen e Presidencës dhe të Këshillit të Përgjithshëm.

Këshilli i Përgjithshëm do të përbëhet nga 130 anëtarë, me përfaqësim proporcional të subjekteve përbërëse. Kryesia Qendrore do të ketë 33 anëtarë, ndërsa deputetët, ministrat, zëvendësministrat dhe kryetarët e komunave do të jenë pjesë e saj automatikisht, por pa të drejtë vote.

Presidenca është paraparë të përbëhet nga katër anëtarë me mandat katërvjeçar: kryetari, sekretari i përgjithshëm, zëvendëskryetari dhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm. Vendimet në Presidencë do të merren me konsensus, ndërsa kryetari i VLEN-it do të zgjidhet me rotacion çdo vit. Rotacioni i kryetarit do të përcaktohet me short, ndërsa pozitat e tjera do të dakordohen paraprakisht, duke siguruar barazi mes subjekteve përbërëse.

Mandati i këtij modeli organizativ do të zgjasë katër vjet, ndërsa në fund të mandatit Kryesia Qendrore dhe Këshilli i Përgjithshëm do të vendosin për të ardhmen e partisë. Buxheti fillestar i parashikuar është 100 mijë euro, të siguruara nga katër partitë përbërëse me nga 25 mijë euro secila. Selia qendrore e partisë do të jetë në Shkup dhe të gjitha zyrat ekzistuese do të ri-brendohen me emrin VLEN.

Sipas planit, partitë aktuale mund të mbeten subjekte juridike vetëm për arsye të financimit shtetëror, por pas kongresit të VLEN-it askush nuk do të veprojë apo përfaqësohet në emër të ndonjë partie tjetër. Në kuptimin politik dhe përfaqësues, ato do të shuhen, ndërsa nëse ekzistojnë zgjidhje juridike, parashihet edhe shuarja e tyre formale.
Ky draft-plan pritet të diskutohet të martën e javës së ardhshme.

Related posts

Ali Ahmeti u mirëprit në Stamboll nga Shoqata e Turqve të Rumelisë

Gjyla Halili

Mexhiti mesazh votuesve të heshtur

Gjyla Halili

Sela për Kurtin: I kam dalë borxh!/ Kam dhënë kontribut modest që ai të jetë sot kryeministër

Gjyla Halili