AKTUALE

BDI denoncon trajtimin çnjerëzor të 76 punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, trajtimit çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, të cilët sipas partisë janë thirrur në punë dhe janë mbajtur të mbyllur në zyra pa kushte minimale dhe pa asnjë detyrë konkrete pune informon Tetovasot.
Në deklaratën për media, BDI thekson se dhjetëra gra dhe burra janë vendosur në vetëm tri zyra, pa karrige, pa tavolina pune, pa kompjuterë dhe pa mjete elementare, duke u detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në 16:00. Sipas BDI-së, kjo përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike.
Partia opozitare e cilëson “turp shtetëror” faktin që punonjësit, për të përballuar ditën e punës, janë detyruar të ulen në dysheme dhe të sjellin batanije nga shtëpia, duke theksuar se kjo shkel çdo standard ligjor, moral dhe evropian, si dhe cenon rëndë dinjitetin njerëzor.
BDI kritikon gjithashtu reagimin e institucioneve pas publikimit të pamjeve, duke akuzuar se në vend të marrjes së përgjegjësisë, situata është keqpërdorur për linçim moral. Në këtë kontekst, partia reagon ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit, i cili, sipas BDI-së, ka akuzuar punonjësit për “imoralitet”.
“Bëhet fjalë për gra shqiptare – nëna, motra dhe bashkëshorte – të cilat janë poshtëruar nga shteti i tyre dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë. Kjo është vijë e kuqe e kaluar dhe nuk mund të justifikohet apo të relativizohet,” thuhet në reagim.
BDI thekson se nuk bëhet fjalë për struktura partiake, por për nëpunës shteti, ndaj të cilëve vetë shteti ka detyrim të sigurojë kushte pune dhe trajtim dinjitoz. Partia kërkon që Kryeministri të kërkojë menjëherë falje publike ndaj punonjësve, familjeve të tyre dhe komunitetit shqiptar për, siç thuhet, gjuhën fyese dhe legjitimimin e praktikave diskriminuese.
Në fund, BDI kërkon përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për këtë rast, ndërprerje të menjëhershme të trajtimit çnjerëzor dhe rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit, duke theksuar se institucionet shtetërore nuk guxojnë të shndërrohen në hapësira ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike.

Ja postimi plotë:

DEKLARATË PËR MEDIA
Bashkimi Demokratik për Integrim

Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër dhe pa asnjë rezervë trajtimin çnjerëzor, poshtërues dhe diskriminues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, të cilët janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale njerëzore dhe pa asnjë detyrë pune.

Vendosja e dhjetëra grave dhe burrave në tri zyra, pa karrige, pa tavolina pune, pa kompjuterë, pa mjete elementare dhe pa asnjë angazhim profesional, duke i detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në ora 16:00, përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike.

Fakti që këta punonjës, për të mbijetuar ditën e punës, janë detyruar të improvizojnë duke u ulur në dysheme dhe duke sjellë batanije nga shtëpia, është një turp shtetëror që cenon dinjitetin njerëzor dhe shkel çdo standard ligjor, moral dhe evropian.

Edhe më e rëndë është sjellja pas këtij akti. Në vend që institucionet të marrin përgjegjësi për kushtet çnjerëzore që kanë krijuar, pamjet e kësaj situate janë keqpërdorur publikisht për linçim moral, ndërsa Kryeministri ka shkuar deri aty sa t’i akuzojë këto punonjës për “imoralitet”.

Bëhet fjalë për gra shqiptare, për nëna, për motra dhe bashkëshorte, të cilat janë poshtëruar nga shteti i tyre dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë. Kjo është vijë e kuqe e kaluar dhe nuk mund të relativizohet, justifikohet apo heshtet. Për më tepër, edhe lidhur me këto ngjarje sulmohet BDI, ndërsa në fakt bëhet fjalë për nëpunës shteti, të cilëve vet shteti duhet t’u siguroj kushte dhe trajtim dinjitoz.

Kryeministri ka për obligim moral dhe politik të kërkojë menjëherë falje publike ndaj këtyre grave, familjeve të tyre dhe mbarë komunitetit shqiptar për gjuhën fyese dhe për legjitimimin e një praktike që përkujton metodat më të errëta të diskriminimit institucional.

BDI kërkon përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për këtë skandal, ndërprerje të menjëhershme të këtij trajtimi çnjerëzor dhe rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit.

Institucionet e shtetit nuk guxojnë të shndërrohen në hapësira ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike. Dinjiteti njerëzor nuk është privilegj, por e drejtë themelore që nuk negociohet.

Related posts

Lloga: Gjykata të veprojë njëjtë edhe me rastet tjera ku ka pasur shkelje të afateve kushtetuese

Gjyla Halili

Mexhiti: S’është me rëndësi kush janë kryetarët, me rëndësi janë banorët

Gjyla Halili

Tahiri (AAK): Në shtator do ta nisim rrëzimin e qeverisë

admin