AKTUALE

Ali Ahmeti brifing me gazetarët: Badenteri, kusht për çdo Qeveri

Ahmeti deklaroi se pas Kongresit të Pestë ka mbetur i vetmi nga struktura e vjetër udhëheqëse e partisë, duke pranuar se ndryshimet e thella “nuk kanë qenë të lehta”, por se është udhëhequr nga filozofia se “kapiteni është i fundit që e lëshon anijen”, ndërsa BDI ka hyrë në një fazë të re politike me zëvendësimin e 82 për qind të strukturës drejtuese

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se partia që ai drejton ka hyrë në një fazë të re reformimi të thellë pas Kongresit të Pestë, duke theksuar se 82 për qind e strukturës së re udhëheqëse përbëhet nga anëtarë që më parë nuk kanë qenë pjesë e organeve drejtuese. Ahmeti paralajmëroi se zgjedhja e qeverisë dhe mbrojtja e ligjeve me shumicë të Badenterit do të jenë kusht për çdo pjesëmarrje eventuale të BDI-së në pushtet.

Në një brifing me gazetarët, Ahmeti iu përgjigj edhe pakënaqësive të shfaqura pas kongresit, duke minimizuar reagimet publike. “Janë dy-tre persona që kanë reaguar. Njëri prej tyre, Abdulselam Selami, më ka kërkuar falje dhe ka pranuar se reagimi ka qenë i nxituar. Ata që largohen sepse nuk janë zgjedhur në funksione – le të ikin”, tha Ahmeti. Sipas tij, ndryshimet në strukturën e partisë janë historike dhe të papara më herët në Maqedoninë e Veriut. “Këshilli i Përgjithshëm i zgjedhur në kongres ka 82 për qind anëtarë të rinj. Ma gjeni një parti në rajon që ka bërë një ndryshim të tillë”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se 29 për qind e përbërjes janë gra, ndërsa 12 anëtarë janë nën moshën 29-vjeçare. Në total, 91 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë fytyra të reja në strukturat drejtuese.

Ahmeti sqaroi se anëtarët e vjetër që nuk janë pjesë e kryesisë nuk do të mbeten jashtë proceseve politike. “Do të formohet Këshilli Kombëtar dhe komitetet e veteranëve, nga nëndegët deri te degët. Të gjithë ata që janë dëshmuar në aktivitete do të përfshihen”, deklaroi ai.

Duke folur për vendimmarrjen brenda partisë, Ahmeti tha se debati i brendshëm ka qenë dhe mbetet intensiv. “Vendime të rëndësishme nuk merren pa koordinim dhe konsultim. Askush nuk ka të drejtë të devijojë nga parimet themelore të BDI-së: shteti unitar, barazia, mosnxitja e urrejtjes ndëretnike”, nënvizoi kreu i BDI-së. Ahmeti prezantoi edhe idenë për një Marrëveshje Kombëtare për Përparim, duke thënë se vendi është lodhur nga politikat ditore dhe përfitimet partiake. “Nëse kemi pasur guxim për Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Prespës, pse të mos kemi një marrëveshje kombëtare për përparim, me ekspertët më të mirë që ka vendi”, tha ai, duke kritikuar edhe Odat ekonomike për, siç u shpreh, thellimin e ndasive dhe mbrojtjen e oligarkisë.

Në këtë kontekst, Ahmeti ritheksoi propozimin që Qeveria të zgjidhet me shumicë të Badenterit dhe që ligjet e miratuara me këtë mekanizëm të mos mund të anulohen nga Gjykata Kushtetuese pa të njëjtën shumicë. “Kjo nuk shkakton asnjë shqetësim te bashkëqytetarët tanë maqedonas. Është zgjidhje e balancuar dhe e analizuar”, tha Ahmeti, duke paralajmëruar rikthimin e tezave të vjetra për ndarjen e vendit dhe duke theksuar se BDI mbetet fuqishëm në mbrojtje të shtetit unitar.

I pyetur për ideologjinë e ardhshme të BDI-së, Ahmeti njoftoi se në pranverë do të mbahet Kongres tematik, ku do të përcaktohet profili ideologjik i partisë, pas debateve në bazë. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe kritikave se përse ato nuk janë bërë gjatë 20 viteve në pushtet, Ahmeti tha se Marrëveshja e Ohrit është kompromis dhe se lejon avancime kur ka nevojë. “Nuk ka pazare. Ne jemi legalistë dhe kushtetues. Kjo nuk është tragjike”, deklaroi ai, duke e bërë të qartë se Badenteri është kusht për hyrje në çdo qeveri të ardhshme. Duke reflektuar për ndryshimet e brendshme, Ahmeti pranoi se procesi nuk ka qenë i lehtë. “Kam bërë një revolucion brenda organizmit tim. Kapiteni është i fundit që e lëshon anijen. Nuk jam i përjetshëm, por bashkë me bashkëpunëtorët do të punojmë për ta fuqizuar BDI-në”, përfundoi Ahmeti.

Përndryshe, BDI se fundi organizoi Kongresin e partisë në të cilin Ali Ahmeti u zgjodh për kryetar të partisë, ndërsa u zgjedh edhe Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia Qendrore e partisë./Koha.mk

Related posts

Çairi dhe Qyteti i Shkupit kanë dhënë pëlqim për protestën e thirrur nga SHVL-UÇK në Sheshin Skënderbeu në Shkup

Gjyla Halili

Mexhiti nga Ohri: Po rritemi e fuqizohemi në çdo lagje e qytet, jemi gati për fitoret e reja

Gjyla Halili

Takim me strukturat në Haraçinë, bastionin e Aleancës për Shqiptarët

Gjyla Halili