AKTUALE

Fillojnë mësimet e gjuhës shqipe në Jehonën e Malësisë/ Dedivanaj: “Mësimi i gjuhës shqipe është investim për të ardhmen e fëmijëve tanë”

Kanë nisur orët e para të mësimit të gjuhës shqipe në Zyrën e Jehonës së Malësisë – Dedivanaj: “Ky program është investim për të ardhmen e fëmijëve tanë”

Në Zyrën e Shoqatës “Jehona e Malësisë” kanë filluar zyrtarisht orët e para të mësimit të gjuhës shqipe, një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar te brezat e rinj. Interesimi i fëmijëve ka qenë tejet i lartë që në ditët e para, ndërsa pjesëmarrja e tyre dëshmon motivim, dëshirë dhe kureshtje të madhe për të mësuar gjuhën amtare.

Entuziazmi i nxënësve është reflektuar edhe në reagime të sinqerta, siç ishte komenti i një vajze të vogël pas përfundimit të orës: “Ora ishte shumë e shkurtër, doja të ishte shumë më e gjatë.” Ky qëndrim tregon ndikimin e madh emocional dhe arsimor që ky program ka tek fëmijët.

Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, u shpreh se nisja e këtij programi është një arritje e rëndësishme për të gjithë komunitetin:
“Mësimi i gjuhës shqipe nuk është vetëm një aktivitet arsimor, por një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi krenarë për interesimin e madh dhe për bashkëpunimin shembullor mes prindërve, mësuesve dhe nxënësve. ‘Jehona e Malësisë’ do të vazhdojë të mbështesë çdo nismë që ruan dhe forcon identitetin tonë kombëtar.”

Shoqata shpreh falënderime të veçanta për profesorët Elvira Shkëmbi, Kanto Dushaj, Shaqe Berishaj dhe Kolë Dedivanaj, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim po e udhëheqin zhvillimin e orëve të mësimit.

Mirënjohje u shprehet edhe prindërve që mbështesin fëmijët e tyre dhe kontribuojnë në suksesin e programit.

Aktualisht, 101 nxënës janë të shpërndarë në pesë klasa të strukturuara, ndërsa është në proces hapja e një klase të gjashtë, e dedikuar për nxënësit me nivel më të avancuar të gjuhës shqipe.

Nisma për mësimin e gjuhës shqipe është shndërruar tashmë në një program të mirëorganizuar, të qëndrueshëm dhe me zhvillim të vazhdueshëm, duke dëshmuar rëndësinë e madhe që ka ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Ja postimi plotë:

Me kënaqësi ju njoftojmë se në Zyrën e Jehonës së Malësisë kanë filluar orët e para të mësimit të gjuhës shqipe. Interesimi i fëmijëve ka qenë shumë i lartë, duke treguar motivim, dëshirë dhe kureshtje të madhe për të mësuar gjuhën tonë kombëtare. Entuziazmi i tyre reflektohet edhe në komentet e sinqerta që marrim nga nxënësit. Një vajzë e vogël, pas përfundimit të orës, tha: “Ora ishte shumë e shkurtër, doja të ishte shumë më e gjatë.” Ky reagim tregon qartë vlerën e madhe që ky proces arsimor ka për fëmijët dhe na kujton se, ashtu si një thesar me vlerë, rezultatet e tij do të shihen edhe më plotësisht në të ardhmen.

Shprehim falënderime të veçanta për profesorët e nderuar:
Zonjën Elvira Shkëmbi, zotërinë Kanto Dushaj, zonjën Shaqe Berishaj dhe zotërinë Kolë Dedivanaj.
Kontributi, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre në zhvillimin e orëve të mësimit përbëjnë një vlerë të rëndësishme për ruajtjen dhe avancimin e gjuhës shqipe.

Mirënjohje u shprehim edhe prindërve, të cilët me angazhim dhe mbështetje i motivojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë mësimin e gjuhës. Ky bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet prindërve, mësuesve dhe nxënësve është një faktor i rëndësishëm për cilësinë dhe suksesin e procesit edukativ.

Aktualisht kemi 101 nxënës të shpërndarë në 5 klasa të ndryshme. Profesorët janë duke bërë sistemimin përfundimtar të nxënësve, me qëllim hapjen e një klase të gjashtë, e cila do të jetë e dedikuar për nxënës me njohuri më të avancuara të gjuhës shqipe.

Jemi të kënaqur që iniciativa për të formuar një klasë të gjuhës shqipe është shndërruar në një program të gjerë, të strukturuar dhe në zhvillim të vazhdueshëm, i cili po i shërben në mënyrë të qëndrueshme ruajtjes së gjuhës dhe kulturës sonë.

Related posts

Hiseni: Më 24 prill dhe 8 maj “bixhozi” do t’i humb zgjedhjet, VLEN do të fitoj

Gjyla Halili

Bexheti: Marrëveshja e Ohrit dhe Badenteri janë miratuar që të mos ketë mazhorizimë

Gjyla Halili

VMRO kërcënohet: Maqedonasit do të ngriten në këmbë kundër shqiptarëve

admin