AKTUALE

BDI thirr mbledhje urgjente pas humbjes së zgjedhjeve lokale

Bashkimi Demokratik për Integrim ka thirrur sot një mbledhje urgjente të Kryesisë Qendrore, pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën dje, ku koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), i udhëhequr nga BDI, arriti të fitojë vetëm një komunë – atë të Studeniçanit, shkruan gazeta KOHA.

Mbledhja është thirrur nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti, dhe pritet të fokusohet në analizën e rezultateve të dy raundeve të zgjedhjeve, si dhe në mënyrën e ristrukturimit të partisë pas disfatës më të madhe elektorale në dy dekada.

Ndryshe, mbrëmë pas shpalljes së rezultateve, lideri Ahmeti deklaroi se pavarësisht humbjeve në disa komuna, BDI-ja dhe koalicioni AKI kanë fituar “votën popullore dhe komunale” me mbi 23.000 vota diferencë. Ai e cilësoi këtë si një “mandat moral dhe politik” për të vazhduar më të bashkuar dhe më të përkushtuar ndaj qytetarëve.

“Fitorja në votën popullore dhe komunale, me mbi 23.000 vota diferencë, është një mandat moral dhe politik që na obligon të vazhdojmë më të bashkuar, më të disiplinuar dhe më të përkushtuar ndaj qytetarëve. Sepse, në fund të ditës, legjitimiteti i çdo vizioni politik buron nga besimi i qytetarëve, dhe ky besim nuk është dëmtuar, por përforcuar”, theksoi Ahmeti.

Kreu i BDI-së shtoi se humbjet në disa komuna do të shërbejnë si sinjal për analizë të thelluar dhe për rinovim të brendshëm.

“Ne do të bëjmë një analizë të thelluar, do të rinovojmë radhët dhe strategjitë tona dhe do të korrigjojmë çdo mangësi për të ofruar më shumë dhe më mirë për qytetarët”, tha Ahmeti.
Rezultatet e zgjedhjeve kanë tronditur strukturat e BDI-së, e cila pas më shumë se 20 vitesh dominim në skenën politike shqiptare, për herë të parë humbi shumicën e komunave kryesore në favor të koalicionit opozitar VLEN.

Related posts

Dita e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale para votimit të mërkurën, fushata për zgjedhjet parlamentare vazhdon

Gjyla Halili

Azeski në takim me homologun e tij nga Kosova për tejkalimin e problemit rreth ndalesës së kamionëve të Maqedonisë me produkte ushqimore

Gjyla Halili

FOTO/ Drejtori nga Kumanova me veturë zyrtare në sherbim të Taravarit

Gjyla Halili