AKTUALE

Pashko Camaj në takim me Ekzekutivin e Qarkut Nassau, z. Bruce Blakeman, për forcimin e bashkëpunimit me komunitetin shqiptar

Sekretari i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” pati kënaqësinë dhe nderin të zhvillojë një takim të rëndësishëm me Ekzekutivin e Qarkut Nassau, z. Bruce Blakeman, ku u diskutuan çështje me interes të përbashkët që lidhen me rolin në rritje dhe kontributin e komunitetit shqiptar në këtë zonë të rëndësishme të shtetit të New York-ut.

Në këtë takim të ngrohtë, Sekretari i “Vatrës”, z. Pashko Camaj, përcolli mirënjohjen e organizatës për mbështetjen që autoritetet lokale i japin komunitetit shqiptar, si dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të “Vatrës” për të qenë një urë bashkëpunimi ndërmjet komunitetit tonë dhe institucioneve amerikane.

Z. Camaj vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Nassau County po njeh një rritje të ndjeshme në numër, në përfshirje qytetare dhe në ndikim pozitiv, duke kontribuar ndjeshëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe kulturore të qarkut. Ai nënvizoi se “Vatra”, si organizata më e vjetër dhe më me traditë e diasporës shqiptare në SHBA, është e përkushtuar të mbështesë këtë zhvillim përmes bashkëpunimit të sinqertë me të gjitha institucionet lokale dhe shtetërore.

Nga ana e tij, Ekzekutivi i Qarkut Nassau, z. Bruce Blakeman, shprehu vlerësim dhe respekt të lartë për komunitetin shqiptar, duke theksuar kontributin që ky komunitet i sjell shoqërisë amerikane. Ai u shpreh i hapur për të vazhduar bashkëpunimin në fusha që prekin interesat e përbashkëta, si përfshirja qytetare, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe kultura.

Në takim ishin të pranishëm edhe z. Marko Kepi, përfaqësues i organizatës Albanian Roots, si dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptar në Long Island. Diskutimet u zhvilluan në një frymë mirëkuptimi, respekti dhe bashkëpunimi, duke reflektuar vlerat e miqësisë shqiptaro-amerikane që kanë karakterizuar historikisht marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë.

Në përmbyllje të takimit, palët shprehën dëshirën për të vazhduar dialogun dhe për të ndërmarrë iniciativa të përbashkëta që promovojnë mirëqenien, përfshirjen dhe bashkëpunimin ndërkomunitar në Qarkun Nassau dhe më gjerë.

“Vatra” do të vijojë misionin e saj historik për të mbështetur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve në SHBA, duke forcuar lidhjet me institucionet amerikane dhe duke promovuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore dhe patriotike.

Related posts

Bekim Qoku: Nuk do ta mbështes asnjë subjekt që do të garojë jashtë VLEN-it

Gjyla Halili

Jenifer Lopez 53 vjecarja pa pik botoksi. Trgon 4 hapat per nje fytyre pa rrudha

admin

Merita Mustafai: Zgjedhjet presidenciale pikë kyçe për rrugëtimin e vendit drejt BE

Gjyla Halili