AKTUALE

Avantazhi i hershëm në zgjedhje – manipulim apo fati i koalicioneve?- Flamur Bajrami paralajmëron të vërtetën

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në disa komuna të rëndësishme me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, administratori nga Kërçova, Flamur Bajrami ka reaguar me tone kritike, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën si është zhvilluar procesi zgjedhor dhe për ndikimin e strukturave shtetërore në rezultatet përfundimtare.

Në deklaratën e tij publike, Bajrami vlerëson se gara politike nuk ka qenë e barabartë dhe se, sipas tij, në këto zgjedhje një koalicion shqiptar është përballur me “të gjithë aparatin shtetëror”, duke nënkuptuar se pushteti ka përdorur mjetet dhe mekanizmat institucionalë për të krijuar avantazhe të parakohshme për një palë të caktuar politike.

“Mos u mundo së pari të gënjesh veten, pastaj të manipulosh elektoratin shqiptar me deklarata cinike për fitore në zgjedhje. Edhe nëse sot apo nesër je kryetar komune, kjo nuk bën përshtypje kur dihet qartë se në orën 07:00 në Çair është nisur me +4500 vota, në Tetovë me +6500 dhe në Strugë me mbi 5000 vota,” deklaroi Bajrami.

Sipas tij, këto shifra nuk janë rezultat i një gare të drejtë demokratike, por dëshmi e një procesi të njëanshëm dhe të ndikuar politikisht. Ai theksoi se ky lloj avantazhi në nisje të ditës zgjedhore krijon perceptimin se rezultati është i paracaktuar dhe rrjedhimisht, e dëmton besimin e qytetarëve në integritetin e procesit zgjedhor.

“Gara e vërtetë matet kur në orën 7 zgjedhjet fillojnë me 0–0,” shtoi Bajrami. “Votat që sot janë numëruar si avantazh të njëanshëm nuk do të jenë prezente në zgjedhjet parlamentare, ku përballja është më e gjerë, më transparente dhe më e barabartë. Atëherë do të shihet qartë se kush e ka mbështetjen reale të qytetarëve.”

Bajrami paralajmëroi se kjo situatë nuk do të kalojë pa pasoja politike, pasi sipas tij, “koha do ta dëshmojë të vërtetën” dhe do të tregojë nëse fitoret aktuale janë rezultat i mbështetjes reale apo produkt i ndikimeve të jashtme në procesin zgjedhor.

Deklarata e tij vjen në një periudhë të tensionuar politike, ku rezultatet e zgjedhjeve lokale në Çair, Tetovë dhe Strugë janë shoqëruar me debate të ashpra mes partive shqiptare dhe akuzave për parregullsi. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim edhe në konfigurimin e skenës politike para zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të jenë shumë më të balancuara dhe me një fushë më të gjerë veprimi politik.

Bajrami u bëri thirrje subjekteve politike që të mos mashtrojnë elektoratin me “fitore artificiale” dhe të përqendrohen në ndërtimin e një procesi të drejtë dhe transparent zgjedhor, ku çdo votë ka peshën e vet reale.

Related posts

Mickoski me mesazh për Pashkët: Të ndryshojmë gjërat së bashku dhe të ndërtojmë një shoqëri të drejtë

Gjyla Halili

BDI: As Mickoski, as vegla e tij VLEN, shqiptarët vetë do të vendosin për përfaqësuesit e tyre

Gjyla Halili

Dauti: Kuvendi nuk e respekton gjuhën shqipe, dokumentet sillen vetëm në gjuhën maqedone

Gjyla Halili