AKTUALE

Zgjedhjet e teta lokale: Do të zgjidhen kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit

Zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor 2025 do të jenë të tetat që nga pavarësia e shtetit dhe të katërtat sipas sistemit aktual, ku zgjidhen kryetarë komunash dhe lista për këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Të drejtë vote kanë gjithsej 1.832.415 qytetarë të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Në Zgjedhjet Lokale 2025 marrin pjesë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash, që është një rritje prej 10 kandidatësh krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kishte 299 kandidatë. Numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë komunash e kishin zgjedhjet e para lokale në vitin 1996 – gjithsej 683 kandidatë, ndërsa më të paktit në vitin 2017 – 257 kandidatë. Në vitet tjera, numri i kandidatëve për kryetarë komunash ka qenë: 323 (në vitin 2000), 379 (në 2005), 364 (në 2009), dhe 350 (në 2013).

Numrin më të madh të kandidatëve për kryetar komune këtë vit e ka Shkupi – 16 kandidatë, prej të cilëve vetëm një është grua. Më pas vijnë Prilepi dhe Struga me nga nëntë kandidatë dhe Bitola me tetë. Në 21 komuna, përfshirë Shtipin, Kratovën dhe Kriva Pallankën, garojnë nga vetëm dy kandidatë për kryetar komune.

Sa i përket përfaqësimit gjinor, 89.64% e kandidatëve për kryetarë komunash janë burra, ndërsa 10.35% janë gra – një rritje e lehtë krahasuar me zgjedhjet e kaluara kur gratë përbënin vetëm 8%.

Për sa i përket listave për këshilltarë komunalë, rekordin e mban viti 1996 me 747 lista të dorëzuara, i ndjekur nga viti 2009 me 701, pastaj 2021 me 572, viti 2000 me 564, viti 2013 me 480, 2005 me 445, dhe më së paku në vitin 2017 – vetëm 371 lista.

Në zgjedhjet e këtij viti janë dorëzuar 576 lista për anëtarë të këshillave komunalë me gjithsej 10.490 kandidatë, nga të cilët 55% janë burra dhe 45% gra – një përqindje identike me zgjedhjet e kaluara.

Më së shumti lista janë dorëzuar për Qytetin e Shkupit – gjithsej 19, më pas vijnë Bitola me 16, dhe Kumanova e Dollneni me nga 14 lista secila.

Sipas grupmoshave, nga gjithsej 10.799 kandidatë për kryetarë komunash dhe këshilltarë:

409 kandidatë (3,89%) janë të moshës 18-20 vjeç,

985 kandidatë (9,12%) janë mbi 66 vjeç,

Ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 36-45 vjeç – 2.739 kandidatë (25,36%).

Zgjedhjet Lokale përmes viteve:
Zgjedhjet e para lokale u mbajtën më 17 nëntor 1996 në 123 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Kishte 683 kandidatë për kryetar komune dhe 747 lista për këshilltarë. Pjesëmarrja në raundin e parë ishte 60%, dhe në të dytin 51%. Të drejtë vote kishin 1.419.081 votues.

Zgjedhjet e dyta lokale u mbajtën më 10 shtator 2000, po ashtu në 123 komuna dhe Shkup. Garuan 323 kandidatë për kryetarë dhe u dorëzuan 564 lista për këshilltarë. Kishte 1.634.859 votues të regjistruar, me pjesëmarrje prej 59% në raundin e parë dhe 53% në të dytin.

Zgjedhjet e treta lokale më 13 dhe 27 mars 2005 ishin të parat sipas ndarjes së re territoriale me 84 komuna dhe Shkupin. Kishte 379 kandidatë për kryetarë dhe 445 lista për këshilltarë. Pjesëmarrja: 56,36% në raundin e parë dhe 53,66% në të dytin, me 1.711.293 votues.

Shënim: Deri në vitin 2006, Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk ekzistonte si organ i përhershëm, por formohej para çdo zgjedhjeje dhe nuk ka publikuar raporte të plota për disa nga zgjedhjet e para lokale.

Zgjedhjet e katërta lokale më 22 mars 2009 – u mbajtën në 84 komuna dhe Shkup. Kishte 364 kandidatë për kryetarë dhe 702 lista për këshilltarë. Pjesëmarrja: 57% në raundin e parë dhe 43% në të dytin, me 1.792.082 votues.

Zgjedhjet e pesta lokale më 24 mars 2013 – në 80 komuna dhe Shkup. Kishte 350 kandidatë për kryetarë dhe 480 lista për këshilltarë. Të drejtë vote kishin 1.743.403 qytetarë. Pjesëmarrja: 67% në raundin e parë dhe 65% në të dytin.

Zgjedhjet e gjashta lokale më 15 tetor 2017 – në 80 komuna dhe Shkup. Kishte 257 kandidatë për kryetarë dhe 371 lista për këshilltarë. Pjesëmarrja: 60% në raundin e parë dhe 52% në të dytin, me 1.814.644 votues.

Zgjedhjet e shtata lokale më 17 dhe 31 tetor 2021. Të drejtë vote kishin 1.824.864 qytetarë. Pjesëmarrja: 50,57% në raundin e parë dhe 50,69% në të dytin. Kishte 299 kandidatë për kryetarë komunash. Nga ta, 91,64% ishin burra, ndërsa 8,36% gra. Ishin paraqitur gjithsej 572 lista për këshilltarë me 10.532 kandidatë, nga të cilët 55% burra dhe 45% gra.

Related posts

Rexhepi : Se beteja e Frontit për Europë është me VMRO-në e dëshmon paniku i Mickovskit se ai e di se ska shaka me BDI-në

Gjyla Halili

Kuvendi Komunal i Prishtinës mban seancë të jashtëzakonshme

Gjyla Halili

Rina Ajdari: Misioni ogurzi ka filluar të shkatërrohet

Gjyla Halili