Në një konferencë për media, Arbër Ademi, përfaqësues i Aleancës Kombëtare për Integrim dhe nënkryetar i BDI-së, akuzoi qeverinë për diskriminim të rëndë ekonomik ndaj shqiptarëve, duke theksuar se mbi 250 milionë euro kredi të subvencionuara nga shteti janë shpërndarë ekskluzivisht për kompani maqedonase, ndërsa kompanitë shqiptare kanë përfituar thuajse asgjë.
“Ky nuk është vetëm diskriminim i rëndë ekonomik, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj mijëra familjeve shqiptare që mbajnë bukën e gojës duke punuar në këto kompani të përjashtuara”, tha Ademi, ndërsa theksoi se këto fonde, fillimisht të paraqitura si “para kineze” dhe më pas si “kredi hungareze”, ishin dedikuar për “kompanitë vendore”, por sot është e qartë se asnjë kompani shqiptare nuk ka përfituar.
Sipas Ademit, Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut ka menaxhuar procesin e ndarjes së kredive, por refuzon të publikojë listën e përfituesve duke u justifikuar me “sekret bankar”.
“Por këto janë para publike – pra paratë e qytetarëve – dhe transparenca nuk është luks, por obligim ligjor”, tha Ademi, duke kujtuar se edhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupcionit (KSHPK) ka kërkuar publikisht publikimin e menjëhershëm të listës së kompanive përfitues.
Ademi paraqiti tri kërkesa urgjente: Publikimin pa vonesë të listës së plotë të kompanive përfitues, përfshirje të drejtë dhe proporcionale të kompanive shqiptare në çdo fond publik për zhvillim ekonomik, si dhe ndërprerje të menjëhershme të praktikave diskriminuese që dëmtojnë shqiptarët dhe zhvillimin e drejtë të shtetit.
Ademi kërkoi përgjigje publike nga zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti dhe ministri i Ekonomisë Besar Durmishi.
“Ku kanë përfunduar këto para? A është ky diskriminim pjesë e një konspiracioni më të gjerë për të mbështetur oligarkinë maqedonase që punon për defaktorizimin e shqiptarëve?”
Ademi paralajmëroi se shqiptarët nuk do të lejojnë që taksat e tyre të përdoren për të forcuar vetëm kompanitë e një etnie, ndërsa ata vetë të mbeten të përjashtuar.